Në të gjithë Evropën dhe botën, sot u shënua 29-vjetori i gjenocidit të Srebrenicës, krimi më i rëndë i kryer në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore, ku u vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.
Eshtrat e 14 viktimave të gjenocidit të identifikuara gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë një të mitur, u varrosën më 11 korrik në Qendrën Përkujtimore në Potoçari, ku janë varrosur gjithsej 6,751 viktima.Së bashku këtë vit u varrosën vëllezërit Efendiq - Hasib dhe Qamil, të cilët do të gjejnë paqen e përjetshme pranë vëllait të tretë Edhem, i cili u varros në Potoçar në vitin 2007. E gjithë kjo, si dhe e gjithë “lugina e varreve” në Potoçari tregon për shkallën e krimit më të madh të luftës në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Sipas Institutit për Personat e Zhdukur të BeH, rreth 800 viktima janë ende duke u kërkuar.Përveç Qendrës Përkujtimore në Potoçari, gjenocidi përkujtohet në shumë vende evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë.
Përkujtimi i sivjetshëm i përvjetorit të gjenocidit ka marrë një rëndësi të veçantë pas miratimit të një Rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në maj, duke shpallur 11 korrikun si "Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës 1995".
Për më tepër, Rezoluta e OKB-së tërheq vëmendjen për mbajtjen e përkujtimeve në mbarë botën, në vendet që nderojnë viktimat dhe afirmojnë të vërtetën për gjenocidin e Srebrenicës.
Shefi i diplomacisë evropiane në largim Josep Borrell dhe Komisionari për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi lëshuan një deklaratë të përbashkët për përvjetorin e gjenocidit.
"Gjenocidi i Srebrenicës është një nga momentet më të errëta në historinë moderne evropiane. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të refuzojnë retorikën përçarëse dhe të punojnë drejt së vërtetës, drejtësisë, besimit dhe dialogut," shkruan ata në deklaratën e përbashkët.
"Zbatimi i Rezolutës së Gjenocidit ka filluar dhe askush nuk do ta ndalojë më. E gjithë bota tani e tutje do të shënojë Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit. Qëllimi i Rezolutës nuk është të dëmtojë askënd; ajo bën thirrje për parandalimin të gjenocidit dhe edukimit të brezave të rinj që kjo e keqe të mos i përsëritet më askujt”, tha Beqiroviq.
Përkujtimi i gjenocidit të Srebrenicës më 11 korrik nuk kryhet zyrtarisht në nivel shtetëror në Bosnje dhe Hercegovinë për shkak të ndarjeve të thella politike brenda vendit.
Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe miratoi një deklaratë duke protestuar kundër rezolutës së OKB-së dhe presidenti i atij entiteti, Milorad Dodik, tha se miratimi i rezolutës do të shkaktonte dëme të pariparueshme dhe "të shënonte fundin e BeH". Ai kërcënoi se Republika Serbe, ku ndodhet Srebrenica, do të shkëputej nga Bosnja dhe Hercegovina.