Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shpallë datën 11 korrik, Ditë Përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë. Ekzekutivi që mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave nga ky gjenocid mori një sërë vendimesh në mbledhjen e së mërkurës. Qeveria emëroi një pjesë të bordit të ndërmarrjes “Trepça”, ndërkaq mori vendim për fillimin e procedurave të tenderimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga era dhe për dhënien e mbështetjes për kapacitete deri në 150 megavat. Krahas kësaj, ekzekutivi ndau mbi 21 milionë euro dëmshpërblim kompanisë amerikane “Contour Global”, pas humbjes në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për mosrespektim të kontratës.
Kryeministri Albin Kurti, tha se shpallja e datës 11 korrik, si ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë është një veprim fisnik dhe i duhur që mos të harrohet e përsëritet asnjëherë gjenocidi as në Bosnjë dhe Hercegovinë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë.Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese nga era do të shton kapacitete energjetike deri në 150 megavat.
Sipas saj ky projekt do t’i përmbahet të gjitha standardeve ndërkombëtare.Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se kjo rregullore do të krijojë një sistem efikas për rekrutimin e këtyre pozitave.
Në mbledhjen e sotme ekzekutivi miratoi vendimin edhe për emërimin e një pjese të Bordit Mbikëqyrës të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Trepça”. Kryesues u emërua Mentor Berisha dhe katër anëtarë, Merita Gashi, Sadie Gashi, Alban Krasniqi dhe Fadil Bejta, teksa u premtua se së shpejti do të hapet konkursi për katër anëtarët e tjerë të këtij bordi.
Ndërkaq, emëruan Rrustem Thaçin, kryetar të komisionit për kompensimin e viktimave të krimit.