Clark: Serbia dëshiron të marrë gjysmën e veriut të Kosovës
Lexohet për: 2 min.
clark-270324
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, akuzoi Serbinë se i shërben interesave të Rusisë, shtet që ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës fqinje mbi dy vjet më parë.

Clark – që ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, që çoi në çlirimin e Kosovës – tha se Serbia dëshiron të marrë pjesën veriore të Kosovës dhe ta ndajë Bosnjë e Hercegovinën, për të krijuar “Serbinë e Madhe”.

“Dora e Rusisë ndihet në Ballkan. Serbia është krahu i Rusisë në Ballkan. Serbia u shërben interesave të Rusisë. Presidenti [serb, Aleksandar] Vuçiq është i mençur. Ai tenton të duket se po luan me dy porta, por kur të vijë momenti, ai do të bëjë çfarë i kërkon Putini. Dhe çfarë ai do nga Putini, sigurisht është autoriteti për të përdorur trupat e tij në Kosovë, të paktën të marrë gjysmën e pjesës veriore të Kosovës dhe ndoshta më shumë. Njëkohësisht, duan ta ndajnë Bosnjën, ta marrin Republikën Sërpska dhe ta bëjnë ‘Serbinë e Madhe’. E gjithë kjo ka të bëjë me spastrim etnik në Ballkan”, tha Clark në një intervistë për CNN, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

Duke folur për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, ai tha se ajo ishte vendimtare, duke kritikuar aleancën se nuk po bën sa duhet për të ndihmuar Ukrainën, që po përballet me pushtimin e Rusisë.

“NATO duhet të bëjë më shumë. Shikoni shembullin e Kosovës sot, 25 vjet demokraci, shtet i lirë. Kështu duhet të jetë edhe për Ukrainën, mund ta shpëtojmë Ukrainën nëse ngrihemi dhe e bëjmë [ndërhyjmë]. Kjo është detyra jonë”, tha Clark.

Ai shtoi se nëse NATO “çalon” në Ukrainë, atëherë problemet nga atje do të barten në Ballkanin Perëndimor./REL

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024