Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është agresive ndaj Kosovës, jo vetëm duke mos e njohur si shtet të pavarur, por për shkak se “është angazhuar” në luftë hibride dhe po zhvillon trajnime ushtarake në bazat që i ka pranë kufirit me Kosovën.
Gjatë një interviste për CNN, Kurti tha se Kosova i kërkon Perëndimit që t’i bëjë presion Serbisë që të largojë ato baza, teksa theksoi se Beogradi ka ngjashmëri me Rusinë, pasi sipas tij, të dy u shkaktojnë telashe fqinjëve sepse “duan zgjerim”.
Kryeministri kosovar Albin Kurti tha se në aspektin historik, kulturor dhe operacional, Kremlini dhe Beogradi kanë imituar njëri-tjetrin dhe kjo është shqetësuese për Kosovën.
“Prandaj jemi të shqetësuar sepse është në interesin e Kremlinit që të përhapë konflikte të tjera në Evropë përmes bashkëpunëtorëve të tij. Dhe Serbia në Ballkan është shtet hegjemonist dhe njëkohësisht bashkëpunëtore e Rusisë”, tha Albin Kurti.
Clark – që ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, që çoi në çlirimin e Kosovës – tha se Serbia dëshiron të marrë pjesën veriore të Kosovës dhe ta ndajë Bosnjë e Hercegovinën, për të krijuar “Serbinë e Madhe”.
“Dora e Rusisë ndihet në Ballkan. Serbia është krahu i Rusisë në Ballkan. Serbia u shërben interesave të Rusisë. Presidenti [serb, Aleksandar] Vuçiq është i mençur. Ai tenton të duket se po luan me dy porta, por kur të vijë momenti, ai do të bëjë çfarë i kërkon Putini. Dhe çfarë ai do nga Putini, sigurisht është autoriteti për të përdorur trupat e tij në Kosovë, të paktën të marrë gjysmën e pjesës veriore të Kosovës dhe ndoshta më shumë. Njëkohësisht, duan ta ndajnë Bosnjën, ta marrin Republikën Sërpska dhe ta bëjnë ‘Serbinë e Madhe’. E gjithë kjo ka të bëjë me spastrim etnik në Ballkan”, tha Clark.
“NATO duhet të bëjë më shumë. Shikoni shembullin e Kosovës sot, 25 vjet demokraci, shtet i lirë. Kështu duhet të jetë edhe për Ukrainën, mund ta shpëtojmë Ukrainën nëse ngrihemi dhe e bëjmë [ndërhyjmë]. Kjo është detyra jonë”, tha Clark.
Ai shtoi se nëse NATO “çalon” në Ukrainë, atëherë problemet nga atje do të barten në Ballkanin Perëndimor.