Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është takuar me presidentin kinez, Xi Jinping, më 8 korrik, disa ditë pasi zhvilloi bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, për një marrëveshje të mundshme të paqes në Ukrainë, që zemëroi disa udhëheqës të Bashkimit Evropian.
Sipas medias shtetërore kineze, Orban dhe Xi u takuan në Pekin në një prej rezidencave presidenciale.“Misioni i Paqes 3.0”, shkroi ai në X – që më herët njihej si Twitter – pasi arriti në Pekin.
Vizita e udhëheqësit hungarez në Kinë realizohet pasi ai u takua në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, por po ashtu ai realizoi një vizitë në Kremlin, që nxiti reagime të ashpra nga aleatët e tij.“Ne e çmojmë shumë nismën tuaj të paqes në lidhje me konfliktin në fqinjin e Hungarisë”, citohet të ketë thënë Orban në takimin me Xinë, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Hungari, MTI.
“Është shumë e rëndësishme për hungarezët që Kina të nxisë paqen në botë”, tha Orban.
“Vetëm kur të gjitha fuqitë e mëdha shfaqin energji pozitive e jo negative mund të arrihet një armëpushim në këtë konflikt”, tha Xi.
Kryeministri hungarez është kritik i ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe është udhëheqësi evropian që ka raportet më të mira me Xinë dhe Putinin.
Vizita e tij në Kinë vjen disa ditë para se të mbahet samiti i NATO-s në Uashington, ku do të trajtohet çështja e ofrimit të mëtejmë të ndihmës për Ukrainën.
Hungaria është shndërruar në një partnere të rëndësishme tregtare të Kinës për dallim nga disa shtete të tjera të BE-së që dëshiron të jenë më pak të varura nga ekonomia e dytë më e madhe në botë./REL/