Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pjesë e kabinetit qeveritar në mandatin e parë të kryeministrit Edi Rama, u arrestua sot nën dyshimet për përfshirje në një skemë korrupsioni për përfitime nga fondet e Agjencisë së koordinimit të ndihmës së huaj (SASPAC), të cilën e drejtonte nga 2021, si dhe për fshehje të pasurisë.
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, ka lëshuar urdhër arresti me burg edhe për Ermal Kurtullën, një bashkëpunëtor i ngushtë i Beqaj dhe Alfred Nikollën, drejtues i një kompanie private që merrej me organizimin e eventeve.Për të gjithë emrat e përfshirë në këtë hetim, janë ngritur një seri akuzash, nga korrupsion, te fshehje të pasurisë, mashtrim apo dhe shkelje të barazisë në tenderë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Beqaj “në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me Ermal Kurtullajn, i emëruar nga vetë ai në qershor të vitit 2022, si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregulloret.”Ish-ministri “dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij në një restorant në zonën e Kalasë në Tiranë, qe nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15 për qind në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë Beqaj, i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un”.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet që zoti Beqaj “të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110 lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet Ermal Kurtullajt, i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore”.
Në nëntor të vitit 2021, ambasadorja amerikane Yuri Kim e më pas dhe ai i Delegacionit të Bashkimit Evropian Luigi Soreca, u larguan në mënyrë demonstrative, gjatë një konference, në momentin që Beqaj mori fjalën.
Më herët, në dhjetor të vitit të kaluar autoritetet e Drejtësisë ushtruan kontroll në banesën e Beqaj, në kuadër të hetimit të ri që po kryhej për abuzimet me fondet e programit Eusair (Strategjia e BE-së për rajonin Adriatiko-Ionian). /VoA