Ambasador të çështjes shqiptare e kontribuues të civilizimit të tanishëm, kështu e konsideron Ismail Kadarenë, akademik Frashër Demaj. Ai thotë se kolosi i letrave shqipe përmes veprës së tij e bëri të njohur Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët. Shkrimtari Ismail Kadare, siç shton Demaj, i takon gjithë fushave të dijes dhe se është intelektuali më i kompletuar që ka pasur ndonjëherë kombi shqiptar.
Historiani shqiptar, Frashër Demaj deklaron se Kadare jetoi në kohë të ndryshme, duke përfshirë regjimin komunist dhe demokracinë.“Kadareja në veprat e tij ka trajtuar aspekte të ndryshme, por siç i përmenda disa nga veprat e tij, dominon aspekti historik. Tek romanet aspekti historik, historia, kultura, tradita shqiptare. Mirëpo, në veprat e tij ai ka trajtuar edhe fenomenet shoqërore jo vetëm në Shqipëri por në përgjithësi në Evropë dhe më gjerë”, shton Demaj për KosovaPress.
Pa kontributin e kolosit të letrave shqipe, historiani Frashër Demaj thekson se letërsia shqiptare do të ishte e mangët, teksa shtoi se Kadare ka qenë gjatë tërë jetës i preokupuar me fatin e Kosovës.Tutje, Demaj thekson se Ismail Kadare nuk i takonte vetëm letërsisë shqipe, por edhe të gjitha fushave të dijes.
Ismail Kadare është nominuar disa herë për çmimin “Nobel” në letërsi, ani pse nuk arriti të marrë këtë çmim, Demaj thekson se emri i tij është në mesin e personaliteteve më të shquara evropiane.