Dalin në shitje biletat për Gala Night ‘Rame Lahaj & Friends’ - mbrëmjen magjike me ‘Tre tenorët’ në sheshin ‘Skënderbeu’
Kulturë
Lexohet për: 4 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Të gjithë ju që doni ta siguroni ulësen tuaj për ta shijuar mbrëmjen magjike të artit operistike, Gala Night ‘Rame Lahaj & Friends’ mund t’i blini biletat nëpërmjet linkut : https://www.rave-travel.com/tickets-en.nspx?eventid=2733 sikurse dhe në pikat fizike të shitjes: ‘Soho Bar’ në Pejë, ‘Vector Diamond’ në Prizren dhe ‘Rave Travel’ në Prishtinë.

Mbrëmja muzikore e cila sivjet do ta përmbyllë edicionin e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Operas – Rame Lahaj mbahet më 2 Gusht në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, me fillim në orën 20:30. Në skenën e ngritur në zemër të kryeqytetit tenori kosovar i skenave botërore, Rame Lahaj do të shoqërohet nga Charles Castronovo, i njohur ndërkombëtarisht si një nga tenorët më të mirë të brezit të tij, si dhe Murat Karahan, yll i njohur i operas, i njohur për reprtorin e larmishëm me mbi 50 role kryesore në gjithë botën, i vlerësuar si ‘Artisti më i Suksesshëm Operistik i Vitit’. Tre tenorët do të shoqërohen në skenë nga Orkestra e Operas së Kosovës, udhëhequr nga Maestro Sascha Goetzel, dirigjenti dinamik e karizmatik i mirënjohur për bashkëpunimet me orkestra prestigjioze në gjithë botën.

Edicioni i katërt i RLIOF do të mbahet mes datave 21 Korrik dhe 2 Gusht. Ky edicion përfshin ekspozitë, masterklasë dhe pesë mbrëmje muzikore Festivali do të hapet me mbrëmjen ‘Nexhmije Pagarusha’ dedikuar muzikës shqipe dhe do të përmbyllet me Gala Mbrëmjen – Rame Lahaj & Friends’. Mbrëmja Nexhmije Pagarusha do të mbahet më 22 korrik në sheshin ‘Zahir Pajaziti’.

Ekspozita do të hapet në Galerinë e Fakultetit të Arteve më 21 korrik dhe do të jetë e hapur për publikun nga data 22 korrik, derisa masterklasa e këndimit do të mbahet mes dative 23-27 korrik. Mbrëmja ‘Opera Night’ do të mbahet më 24 Korrik në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, ndërsa ‘Ensemble Evening’ më 26 Korrik në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë. Mbrëmja ‘Neë Generation’ mbahet më 28 korrik në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare.

Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Operas - Rame Lahaj, do të bashkojë zëra nga e gjithë bota për ta nderuar trashëgiminë muzikore të bartur ndër breza. Frymëzuar nga kujtimet e tenorit Rame Lahaj, i rritur me këngët e njohura të muzikës shqipe, të cilat i këndonte nën urimin e nënës ‘T’knoft zemra’, këtë vit festivali RLIOF bën ndërlidhjen e trashëgimisë muzikore dhe rrëfimeve personale të artistëve me gjuhën universale të operas.

Festivali shfrytëzon fuqinë e zërave operistik si jehonë për vlerat e familjes, dashurinë për artin e mirëfilltë muzikor dhe rolin e figurës së nënës në formësimin e identitetit artistik. Nëpërmjet performancave që burojnë nga thellësia e zemrës, kujtimeve dhe eksperiencave diverse, do t’i rijetojmë në formën e artit operistik, këngët e nënës që vazhdojnë të rezonojnë në zemrat tona duke u dhënë formë personaliteteve artistike dhe duke shërbyer si inspirim i pashterrshëm për shpirtin tonë.

Nën temën ‘T’knoft zemra’, RLIOF festivali synon të frymëzojë dashurinë për të kaluarën, ta pasurojë të tashmën dhe t’i inspirojë gjeneratat e reja të këndojnë me zemër e të marrin rrugë drejt skenave prestigjioze të operas.

RLIOF 2024 ka hapur thirrjen për pjesëmarrje në masterklasën me mjeshtrin e vokalit Dario Russo si dhe mysafirin special të këtij edicioni, Matteo Pais nga ‘Academia del Maggio Musicale’. Mirëpresim aplikimet në email adresën [email protected] deri më 10 Korrik, 2024.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024