Samiti i madh i NATO-s në Uashington do të mbahet së shpejti, nga 9 deri më 11 korrik.
Ndërsa, këto janë pesë gjërat të cilave duhet t’i ndiqni me vëmendje gjatë tubimit të 32 vendeve aleate dhe disa mysafirëve të rëndësishëm në kryeqytetin amerikan.Njëra prej gjërave kryesore që do të bjerë në sy gjatë këtij samiti është formulimi në deklaratën përfundimtare në lidhje me gjasat e Ukrainës për anëtarësim në NATO.
Përpilimi i këtij dokument, i cili përbëhet zakonisht nga disa faqe, është duke ndodhur tash e disa javë në zyrat qendrore të NATO-s në Bruksel. Por, mospajtimet kryesore kanë të bëjnë me mënyrën e saktë të përshkrimit të gjasave të Ukrainës për t’iu bashkuar aleancës.NATO-ja ka qenë e prerë se Ukraina nuk mund t’i bashkohet asaj derisa lufta është duke vazhduar, sepse vendet anëtare nuk duan të zhyten në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Mund të hidhen poshtë edhe idetë kreative por të pamundura për lejimin e klauzolës së përbashkët të NATO-s për mbrojtjen, Neni 5, ta mbulojë territorin ukrainas që është tash për tash nën kontrollin e Kievit, por jo edhe pjesën që Moska e ka pushtuar. Sipas zyrtarëve të NATO-s, ideja është që në samitin e sivjetmë të shkohet më larg krahasuar me deklaratën e Vilniusit nga samiti në kryeqytetin lituanez vitin e kaluar.
Një fjalë tjetër që mund të përfshihet në komunikatë është fjala “e pakthyeshme”, që nënkupton se rruga e Kievit drejt NATO-s është e shtruar.
Para së gjithash, shumë aleatë pritet të njoftojnë në samit më shumë furnizim dypalëshe me armë për Ukrainën. Pyetja, si gjithmonë, do të jetë se sa shpejt do të arrijnë armët në fushëbetejë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të jetë i pranishëm në samit dhe ka shpresë në mesin e zyrtarëve të NATO-s se nuk do të ketë një përsëritje të samitit të Vilniusit, në të cilin ai shprehu zhgënjimin në një postim në X para takimit, se Kievit nuk i ishte dhënë një orar i qartë për anëtarësim.
Në fakt, pak a shumë është arritur pajtueshmëri për dy temat e mëdha që do të bëhen të ditura në samit.
NATO-ja do të fillojë ta marrë përsipër bashkërendimin e dhurimit të armëve dhe municioneve Ukrainës. Deri tani, këtë e bënte grupi Ramstein i udhëhequr nga SHBA-ja, pjesë e të cilët janë mbi 50 vende kryesisht perëndimore, të cilat janë takuar rregullisht prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022.
Skepticizmi i Trumpit
Nuk ka se si të shmanget kjo. Ish-presidenti amerikan (mbase presidenti i ardhshëm amerikan), Donald Trump, mund të jetë njeriu për të cilin flitet më së shumti në një samit pa qenë fare i pranishëm atje. Konventa Kombëtare Republikane, ku Trumpi do të caktohet zyrtarisht kandidat i partisë për president amerikan, do të nisë vetëm katër ditë pas samitit.Një tjetër gjë që e ka brengosur Trumpin ka të bëjë me shpenzimet ushtarake të aleatëve evropianë. Në të kaluarën, Trump i ka kritikuar vendet anëtare që nuk e kanë arritur cakun e NATO-s prej 2 për qind të GDP-së për shpenzim në mbrojtje, si dhe ka thënë se do ta lejonte Rusinë t’i sulmojë ato vende të cilat nuk paguajnë, duke e vënë në dyshim parimin thelbësor të NATO-s.
Për këtë, në samitin e Uashingtonit do të flitet për shumë shifra në lidhje me atë se sa shumë i kanë rritur aleatët shpenzimet në vitet e fundit. Më 2014 u dha një zotim se të gjitha vendet anëtare duhet ta arrijnë cakun prej 2 për qind brenda një dekade. Ky zotim nuk është përmbushur plotësisht, sepse 23 nga 31 vende aëntare sot shpenzojnë kaq ose më shumë për ushtrinë.
Përveç Këshillit NATO-Ukrainë në nivel liderësh, do të ketë edhe dy sesione të tjera pune në samit. I pari ka të bëjë me atë se sa e përgatitur është NATO-ja në rast se do të sulmohej. Vitin e kaluar në Vilnius, u miratuan një numër planesh për mbrojtjen, në mënyrë që të mbrohej “çdo centimetër e territorit të NATO-s”.
Aleatët e NATO-s s’i ofrojnë Ukrainës afat kohor për anëtarësimin
Është thënë se kundërajrorët në krahun lindor të aleancës kanë mungesë municioni, por blloku ka nevojë për më shumë raketa me rreze të gjata veprimi dhe tanke.
Çfarë do të ndodhë në të ardhmen?
Natyrisht, presidenti amerikan, Joe Biden, do ta tërheqë vëmendjen e të gjithëve, i cili është nikoqir i takimit, posaçërisht pas paraqitjes së tij të dobët në debatin përballë Trumpit.
Në Uashington ai duhet të jetë më i gjallë. Duke qenë mbrapa në sondazhet presidenciale, është e qartë se këshilltarët e tij do të duan që samiti të planifikohet dhe kontrollohet në mënyrë që ai ta shmangë çfarëdo gafe të panevojshme.
Por, Biden nuk është lideri i vetëm nga vendet e mëdha perëndimore që po lufton për mbijetesë politike. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të mbërrijë në Uashington pas zgjedhjeve parlamentare, në të cilat aleanca e tij e qendrës së djathtë ka rënë nga grupi më i madh në fuqinë e tretë në Parlament, me vetëm 100 deputetë.Ndërkohë, shefi i ri i NATO-s, Mark Rutte, i cili e merr detyrën zyrtarisht nga Stoltenberg në vjeshtë, do të ketë shumë punë. Stoltenberg, sekretari që shërbeu më së gjati në krye të NATO-s, do të mungojë posaçërisht për aftësitë e tij për të kaluar mirë me shumicën e liderëve dhe për gjetjen e pajtueshmërisë. Në këtë kuptim, Rutte do të jetë disi pasuesi i tij natyral.