Auditori evidenton parregullsi për klasifikim jo adekuat të shpenzimeve në MASHTI
Lajme
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar disa parregullsi në Ministrinë e Arsimit, për klasifikim jo adekuat të shpenzimeve. Sipas Auditorit, MASHTI në vitin 2023 bazuar në planifikimin buxhetor, ka paguar dhe regjistruar shpenzime në vlerë 1 milionë e 407 mijë e 566 euro në kategori ekonomike jo adekuate.

“Pagesat e realizuara nga kategoria e investime kapitale që për nga vlera individuale e pajisjeve dhe natyra e tyre këto shpenzime i takojnë kategorisë mallra dhe shërbime, si në vijim: Furnizim me pajisje për sallat e sportit në shkollat e arsimit parauniversitar në vlerë 409,764€; Blerjen e paisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore për qëndrueshmëri dhe blerja e pakove në vlerë 751,055€; dhe  Furnizim me inventar shkollor në vlerë 151,464€”, thuhet në Raportin e Auditimit për Pasqayrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2023.

Në raport thuhet po ashtu se Qendra e Studentëve (QS) kishte paguar 95,213 euro nga kategoria mallra dhe shërbime për kontratën “Renovimi dhe ri dizajnimi i restorantit dhe kuzhinës së Qendrës së Studentëve” shpenzim i cili për nga natyra i takon kategorisë së investimeve kapitale.

“Kjo kishte ndodhur si pasojë e ndarjes së mjeteve financiare me Ligj të Buxhetit në kategorinë e investimeve kapitale, pavarësisht kërkesës së MASHTI-t që mjetet për këto projekte të buxhetohen në kategoritë adekuate. Derisa te Qendra e Studentëve mjetet për projektin renovimi i restorantit ishin planifikuar gabimisht si mirëmbajtje e ndërtesave në kategorinë mallra dhe shërbime”, thuhet në raport.

ZKA vlerëson se raportimi apo klasifikimi jo i saktë i të dhënave në pasqyrat financiare shpie në keqkuptim të aktiviteteve financiare të Ministrisë, duke mbivlerësuar/nënvlerësuar kategoritë ekonomike përkatëse.

Auditori rekomandon Ministrinë e Arsimit se ‘duhet të sigurojë që janë ndërmarrë veprime të mëtejme në koordinim me Ministrinë e Financave në mënyrë që shpenzimet të planifikohen në ndarjet adekuate të buxhetit dhe që pagesa dhe regjistrimi i shpenzimeve të bëhet sipas kategorive ekonomike adekuate, për të mundësuar raportimin e drejtë të tyre në PFV në përputhje me planin kontabël.

Ky raport ka rezultuar me nëntë rekomandime, prej tyre pesë janë rekomandime të reja, tri  të përsëritura dhe një  pjesërisht të përsëritur.

https://kosovapress.com/auditori-gjen-parregullsi-ne-tender-te-ministrise-se-arsimit

https://kosovapress.com/ministrja-arberie-nagavci-shume-e-dobet-duhet-te-jap-doreheqje

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024