Për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare ka shkruar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Krasniqi, ka thënë se Ismail Kadare ishte gjigant i letrave shqipe.“Ismail Kadare ishte më shumë se një shkrimtar; ai ishte mishërimi i krenarisë shqiptare, fanar i identitetit tonë kombëtar dhe kampion i trashëgimisë sonë letrare dhe kulturore. Prehu në paqe i dashur Ismail Kadare. Fjalët tuaja do të tingëllojnë përgjithmonë në zemrat tona dhe trashëgimia juaj do të vazhdojë të frymëzojë brezat që do të vijnë”, ka shkruar Krasniqi.
Gjatë jetës, ndonjëherë mendojmë se disa nga personalitetet të cilat na kanë frymëzuar dhe që me veprimtarinë e tyre jemi rritur e formësuar – do t’i kemi pranë përgjithmonë. Megjithatë, ja që vdekja është e pamëshirshme dhe troket në derën e secilit – edhe të gjigantëve.
Ismail Kadare, me një stil krejt të veçantë dhe origjinal, ishte një gjigant i letrave shqipe. Një personalitet dhe një zë i cili përgjatë jetës së tij i bëri jehonë thellësive të historisë, kulturës dhe vetë shpirtit tonë njerëzor.
Megjithatë, duke na e thyer edhe korrikun, Gjeneralin e letrave shqipe vdekja na e mori vetëm fizikisht. Ai, nëpërmjet rrëfimeve dhe veprave që la mbrapa, ka kapërcyer hendekun e kohës dhe fizikes, duke i takuar barasvlefshëm dhe përjetësisht të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes tonë.
Prehu në paqe i dashur Ismail Kadare. Fjalët tuaja do të tingëllojnë përgjithmonë në zemrat tona dhe trashëgimia juaj do të vazhdojë të frymëzojë brezat që do të vijnë.
Faleminderit që na dhatë dhuratën e tregimit tuaj të jashtëzakonshëm. Do të na mungosh thellësisht, por nuk do të harrojmë kurrë. ?