Albin Kurti për vdekjen e Kadaresë: Humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 2 min.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar për vdekjen e Ismail Kadaresë, duke thënë se humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave.
Kurse, sipas Kurtit bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë.
“Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë”, ka shkruar kryeministri Kurti në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Sipas tij, arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij.
“Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë”, ka shkruar ndër të tjera Kurti
Po, ashtu Kurti u ka shprehur ngushëllime të gjithëve./KosovaPress