Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është takuar me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan.
Takimi ka ndodhur në margjinat e Forumit të Dubrovnikut.“Fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik, mbështetja në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, iniciativat e përbashkëta rajonale, bashkëpunimi në siguri dhe mbrojtje, ishin temat në fokus të takimit që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla pati me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, të mbajtur në margjinat e Forumit të Dubrovnikut”, bëhet e ditur në komunikatë.
Ministrja Gërvalla dhe Ministri Fidan vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve tona, përfshirë përkrahjen unanime nga deputetët e Turqisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ministrja Gërvalla veçanërisht mirëpriti rolin konstruktiv të komandantit turk të KFOR-it në Kosovë.
Në kontekst të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe aspiratës legjitime të Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO, Ministrja Gërvalla mirëpriti vazhdimin e përkrahjes turke për realizimin sa më të shpejtë të këtij synimi./KosovaPress