"Kjo është fundërrinë njerëzore dhe shteti qëndron pas tyre".
Një nga organizatoret e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, Sofija Todoroviq, është kërcënuar përmes një letre që i është dërguar në adresë të saj, një ditë pasi autoritetet shtetërore serbe ndaluan mbajtjen e këtij festivali në Beograd.Letra kërcënuese u nënshkrua nga “Patrulla Popullore”. Kjo është një organizatë e paregjistruar ultra-djathtiste, e njohur për veprimet e saj kundër migrantëve dhe lidhjeve ideologjike që ka me grupet nga Federata Ruse.
Fillimisht, Todoroviq shkroi në X – që më herët njihej si Twitter – se një person e thirri në telefon dhe iu prezantua si korrier dhe solli paketën me letrën. Ajo më pas thirri policinë, e cila e hapi kutinë.
Bila je policija pa su otvorili. Smrad nas je prevario, ipak je mrtva životinjska glava presečena na pola.
Ne znam jel treba sad da se opredelim šta je bolja opcija?Ovo je dno ljudsko, a država je stala iza njih. Zapamtite to. Ovako brane Kosovo. pic.twitter.com/PuCDfw057T
— Sophia? (@todorovicsophia) June 28, 2024
“Kjo është fundërrinë njerëzore dhe shteti qëndron pas tyre. Mos harroni, kështu e mbrojnë Kosovën”, shkroi ajo në një postim tjetër.
“Patrulla Popullore” që mori përsipër mesazhin kërcënues është një organizatë që u bë e njohur për publikun në Serbi më 2020, kur përmes një videoje u shfaqën 20 burra të rinj të veshur me të zeza, duke penguar migrantët dhe refugjatët në një qendër në Beograd. Në mesin e tyre ishte edhe Damjan Knezheviq, i cili thotë se është lideri i organizatës.
Qëllimi i festivalit është përmirësimi i bashkëpunimit kulturor mes artistëve të Kosovës dhe Serbisë. Vazhdimisht kjo ngjarje, që mbahet herë në Kosovë, e herë në Serbi, është përballur me protesta në Beograd.
Më 27 qershor, në vendin ku ishte paraparë të bëhej hapja e festivalit, grupet e ekstremit të djathtë dhe tifozët bllokuan hyrjen për organizatorët dhe të ftuarit e festivalit. Pak më vonë, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë urdhëroi ndalimin e mbajtjes së festivalit, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.
Gjatë kohës kur djathtistët po protestonin, disa nga organizatorët, që mbetën të bllokuar në zonën ku do të duhej të mbahej festivali – e që u larguan vetëm në orët e vona të 27 qershorit pasi u shpërndan protestuesit – thanë për Radion Evropa e Lirë se aty kishte vetëm katër apo pesë pjesëtarë të policisë.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar më 28 qershor se autoritetet shtetërore e kanë prë detyrë që të ofrojnë kushte të sigurta për pjesëmarrësit në festivalin “Mirëdita, dobar dan”.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me vendimin e autoriteteve serbe për ndalimin e mbajtjes së festivalit, Serbia shfaqi “përsëri armiqësinë e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me paqe dhe pajtim”./ rel