Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur në çështjen penale ndaj gjashtë të pandehurve me inicialet N.S., M.R., S.A., D.M., Z.J. dhe R.B., në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.
N.S. është dënuar me katër vjet heqje lirie dhe 4.500 euro gjobë për vepër penale të ricilësuar nga krimi i organizuar në keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ndaj të njëjtit, u shqiptua edhe dënimi plotësues – konfiskimi i sendeve të përdorura apo të destinuara për të kryer vepër penale, të cilat u urdhërua që të shkatërrohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.E akuzuara S.A., është liruar nga akuza për vepër penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale vrasja e rëndë dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
D.M. është dënuar me katër vjet burg për vepër penale në bashkëkryerje keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. I njëjti është liruar nga akuza për vepër penale zbulim i fshehtësisë zyrtare.
Për të akuzuarin R.B., u refuzua akuza për vepër penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me vepër penale vrasja e rëndë dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Të akuzuarit M.R., me vendim të veçantë iu caktua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit por duke mos e kaluar dënimin e vërtetuar – shqiptuar me aktgjykim.
Të akuzuarit S.A. dhe R.B., u liruan nga shpenzimet e procedurës për shkak të marrjes së aktgjykimit lirues respektivisht, refuzues ndaj tyre. Të akuzuarit N.S., M.R., D.M. dhe Z.J., secili veç e veç u obliguan të paguajnë 350 euro në emër të shpenzimeve të procedurës penale dhe 100 euro në emër të Fondit për Kompensim të Viktimave të Krimit.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.