Presidenti demokrat Joe Biden dhe rivali i tij republikan Donald Trump kritikuan ashpër njëri-tjetrin mbi çështjen e ekonomisë, abortin, imigracionin dhe politikën e jashtme gjatë mandateve të tyre në debatin e tyre të enjten, duke u dhënë votuesve një mundësi për të parë në debat kandidatët më të moshuar presidencialë në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se Presidenti Biden ishte me grip.
Presidenti Biden e filloi debatin me një gafë, duke pretenduar se kishte krijuar 15,000 vende pune. Numri i saktë është më shumë se 15 milionë vende të reja pune gjatë mandatit të tij, një nëvlerësim dramatik nga një kandidat, që po përpiqet të rifitojë besimin e votuesve në aftësitë e tij për të udhëhequr ekonominë e vendit.
Biden tha gjithashtu se “një dozë e insulinës kushton 15 dollarë tani, në krahasim me 400 dollarë.” Por kostoja e insulinës për amerikanët e moshuar, të cilët janë pjesë e programit të sigurimeve shëndetësore të qeverisë, është ulur në 35 dollarë bazuar në ligjin e pakësimit të inflacionit, të cilin Presidenti Biden e nënshkroi në vitin 2022. Kjo ulje e kostos së ilaçit të insulinës hyri në fuqi në vitin 2023, duke detyruar shumicën e kompanive të sigurimeve shëndetësore që ta ulin në 35 dollarë koston e ilaçit.
Presidenit Biden nga mesi i debatit filloi të përqëndrohej në sulmet ndaj zotit Trump duke përmendur gjyqin në Nju Jork, në të cilin zoti Trump u shpall fajtor për fshehjen e pagesave për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniel për të mbajtur të fshehur një marrëdhënie seksuale me të. Presidenti Biden e quajti rivalin e tij republikan “një njeri të shpallur fajtor për një krim”.
Ish Presidenti Trump u përgjigj duke përmendur gjyqin ndaj djalit të Presidentit Joe Biden, Hunter Biden, në të cilin ai u shpall fajtor për akuzën se ka gënjyer në një formular për blerjen e një arme mbi historinë e përdorimit të drogës.
“Ky është presidenti më i keq në historinë amerikane. Ky njeri nuk e kupton demokracinë amerikane”, tha Presidenti Biden në përgjigje të këtyre komenteve të rivalit të tij republikan.
Ish-presidenti Donald Trump u ankua se emigrantët që po hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme po strehohen në “hotele luksoze” ndërsa veteranët e ushtrisë sonë janë në rrugë.
Lufta Rusi-Ukrainë
“Ne jemi si një vend i pazhvilluar dhe kjo është e turpshme”, tha zoti Trump në debatin televiziv në selinë e kanalit CNN në Atlanta.
Gjatë debatit, zoti Biden dhe zoti Trump ishin dakord në kundërshtimin e kushteve të presidentit rus Vladimir Putin mbi përfundimin e luftës në Ukrainë. Por, zoti Trump përsëriti pretendimet e tij se lufta nuk do të kishte filluar kurrë nëse ai do të kishte qenë president.
“Nëse do të kishim një president të vërtetë, një president që respektohej nga Putini, ai nuk do ta kishte sulmuar kurrë Ukrainën”, tha zotin Trump.
“Vazhdoni, lëreni Putinin të kontrollojë Ukrainën, dhe pastaj në Poloni dhe vende të tjera. Shihni se çfarë ndodh atëherë. Ai nuk e ka idenë se çfarë po thotë”, tha Presidenti Biden për zotin Trump.
Zoti Biden tha se zoti Trump do të tërhiqte Shtetet e Bashkuara nga NATO dhe do të rrezikonte një luftë në zgjerim. Dhe për udhëheqësin rus, Presidenti Biden tha: “Fakti është se Putini është një kriminel lufte”.
Një nga temat e politikës së jashtme në debat ishte edhe lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Zoti Trump kritikoi Presidentin Biden për mënyrën se si e ka trajtuar luftën në Rripin e Gazës, duke thënë se zoti Biden “është bërë si një palestinez” për shkak të kërkesës së Preisdentit Biden që Izraeli të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët në Gaza. Zoti Trump ka kritikuar gjithashtu kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë në një intervistë në prill se ai duhet të kishte parandaluar sulmin e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor.
Zoti Trump e kundërshtoi këtë vlerësim duke thënë se “Izraeli është ai që e ka kundërshtuar propozimin. Dhe ju duhet t’i lini izraelitët të mbarojnë punën”, tha ai.
Izraeli filloi një ofensivë të gjerë ushtarake në Rripin e Gazës pas sulmit të militantëve të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin u vranë 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u morën peng 250 të tjerë.
Debati ishte një shans për të dy kandidatët që të flisnin për planet dhe vizionin e tyre për vendin dhe të bindin votuesit e pavendosur.
Në Atlanta të Xhorxhias, një shtet i pavendosur dhe i rëndësishëm për zgjedhjet presidenciale, ishin të pranishëm politikanë republikanë që janë në listën e kandidatëve për nënpresident, përfshirë senatorin nga Ohajo JD Vance, ish guvernatorin e Dakotës së Veriut Daug Bergum, senatorin nga Karolina e Jugut Tim Scott dhe senatorin nga Florida Marco Rubio.