Ministria e Jashtme e Kosovës konfirmoi të mërkurën se nuk ia ka pranuar kërkesën kryetarit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, për të udhëtuar në Kosovë, ku sipas Zyrës së tij, ai do të merrte pjesë në festën e Vidovdanit, e cila shënohet më 28 qershor.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Jashtme tha se Petkoviqit iu ndalua udhëtimi në Kosovë “për shkak të shkeljeve të marrëveshjes për vizitat e dyanshme, deklaratave propagandistike dhe për shkak të gjuhës së tij provokuese ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”.
ipas saj, vizita e tij u paralajmërua në “përputhje me të gjitha marrëveshjet e vlefshme për lëvizje të lirë” dhe se qëllimi i vizitës ishte kryekëput “i natyrës fetare”, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “e ndaloi vizitën dhe kështu i shkeli të gjitha arritjet e bisedimeve në Bruksel”.
Ndërkohë kohë, në fillim të këtij viti, Serbia ia refuzoi kërkesën për vizitë ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili planifikoi të udhëtonte në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që janë të banuara me shqiptarë.
Kjo është hera e dytë brenda dy muajve që autoritetet kosovare nuk ia pranojnë kërkesën Petkoviqit për të udhëtuar në Kosovë, pasi më 3 maj nuk u lejua të udhëtonte në Kosovë për Pashkët Ortodokse, sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.
Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan - rreth 10 kilometra larg Prishtinës.