PDK: Projektligji për zyrtarët publikë dhe ai për Këshillin Prokurorial bien ndesh me Kushtetutën
Lajme
Lexohet për: 2 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se Projektligji për zyrtarët publikë dhe Projektligji për Këshillin Prokurorial, bien ndesh me Kushtetutën e vendit. Partia më e madhe opozitare ka akuzuar ekzekutivin se përmes Projektligjit për zyrtarët publikë po synon të politizojë dhe shkatërrojë administratën publike, ndërkaq përmes Projektligjit për Këshillin Prokurorial, të kapë organin e akuzës në vend. Derisa paralajmëruan se nëse miratohen si të tilla në Kuvend do t’i dërgojnë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, në konferencë për medie të martën, tha se dy projektligjet që janë miratuar në lexim të parë në Kuvend shpërfaqin qasjen jokushtetuese të partisë në pushtet.

Duke folur për Projektligjin për zyrtarët publikë, ai tha se i njëjti bie ndesh edhe me Marrëveshjen për Stabilizim Asocim (MSA) me BE-në, ndërkaq përmendi si problematik nenin ku përcaktohet se një drejtor mund të qëndrojë në pozitë udhëheqëse si ushtrues detyre deri në dy vite.

Krahas kësaj, sipas tij, jo kushtetuese janë nenet ku theksohet se pozitat e nivelit të mesëm dhe të ulët drejtues pas hyrjes në fuqi të ligjit fillojnë me mandat katër vjeçar.

Ndërkaq, sa i përket Projektligjit për Këshillin Prokurorial, Gruda tha se qeveria po synon të gjejë një rrugë ligjore që Këshilli Prokurorial të kontrollohet nga ata.

Zyrtari i PDK-së u pyet nga gazetarët e cilësoi si të gabuar takimin e deputetit të PDK-së, Hisen Berishës me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Këtu nuk mund të flas në emër të PDK-së për këtë çështje, por personalisht mund të them se kjo është një gjë e gabuar që ka bërë deputeti Berisha”, tha ai./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024