Largimi i serbëve nga institucionet në veri, disa kërkuan të kthehen por ishte vonë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua

Në nëntor të vitit 2022 dhanë dorëheqje pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës, të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri të vendit. Dorëheqjet e tyre pasuan pas vendimit të Listës Serbe për largim nga institucionet qendrore të Kosovës. Këto tri institucione tregojnë për KosovaPress, se si ka vijuar puna pas dorëheqjes së tyre, si është bërë zëvendësimi dhe a ka pasur rast të ndonjë pjesëtari serb që ka bërë kërkesë për rikthim në punë.

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano pret rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në këto dy institucione. Sipas tij, një gjë e tillë është e mundur sepse dorëheqjet e tyre nuk janë pranuar nga KPK dhe KGjK.

Gjykata Themelore në Mitrovicë thotë se nuk ka pasur kërkesë për kthim në punë, ndërkohë që mohojnë se gjyqtarët serbë të dorëhequr figurojnë në listën e pagave.

Numri i gjyqtarëve serbë të cilët kanë dhënë dorëheqje është 24. Gjykata Themelore në Mitrovicë përmes një përgjigje me shkrim thotë se numri total i stafit administrativ të cilët janë larguar nga ky institucion tejkalon numrin 100.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Kosovës, Veton Elshani thotë se asnjë policë serbë i dorëhequr nuk pranon pagë.

Ai shton se në mënyrë graduale është duke u bërë plotësimi i numrit të policëve në veri të vendit. Elshani tregon se ka pasur kërkesë për rikthim në punë, por pas lëshimit të vendimit për dorëheqje, nuk mund të ndodhë një gjë e tillë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni deklaron se pas dorëheqjes së komunitetit serb janë ballafaquar me vështirësi në trajtimin e rasteve.

Aktualisht në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë janë të angazhuar katër prokurorë në Departamentin për Krime të Rënda, dy prokurorë në Departamentin për të Mitur dhe shtatë prokurorë në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj prokurorie.

KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës, të njëjtit thonë se nga dorëheqja e prokurorëve nuk është kthyer asnjëri në sistemin prokurorial.

Edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Policia e Kosovës, kanë thënë se asnjë nga të dorëhequrit nuk është kthyer në punë dhe nuk ka marrë kompensim page. /Sh.Pajaziti/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024