LDK-ja mbledh ekspertët: Nuk ka investime, gjendja alarmante në shëndetësi
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot takimin e radhës me Departamentin e Shëndetësisë, ku në praninë e shumë mjekëve e profesionistëve të fushës u diskutua rreth sfidave kryesore të qytetarëve në sistemin shëndetësor, mungesës së barnave esenciale, listës së pritjes, sigurimeve shëndetësore, e shumë çështje të tjera, të cilat vazhdojnë të mbesin sfidë e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Në këtë takim, pjesa më e madhe e diskutimit iu kushtua programit politik “Rruga e Re”, i cili ka plan konkret për të përmirësuar sistemin e shëndetësisë në vend.

Sipas LDK-së, shëndetësia vazhdon të jetë njëra nga sfidat kryesore të qytetarëve të Kosovës. Mungesa e investimeve thelbësore, fondet e ulëta publike, mungesa e menaxhimit të duhur shëndetësor, së bashku më neglizhencën e treguar ndër vite për këtë sektor jetik, e kanë çuar këtë fushë të rëndësishme publike në prag të kolapsit të përgjithshëm.

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se takimi me ekspertë të shëndetësisë po bëhet për përditësimin e platformës qeverisëse të partisë. Ajo përmendi listën esenciale të barnave, listat e pritjes dhe mungesën e progresit sa i përket sigurimeve shëndetësore si ndër dështimet e Qeverisë Kurti. 

“Është një takim i rregullt i ekspertëve të shëndetësisë në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Siç e dini ka një vit që e kemi programin rruga e re. Sot jemi mbledhur që të diskutojmë sfidat aktuale në sektorin e shëndetësisë në përgjithësi. Programi ka nevojë që të përditësohet, pasi ne qysh e kemi lansuar kemi thënë se ky do të jetë një dokument i gjallë dhe tani numri i ekspertëve në departament është më i madh. Gjendja në shëndetësi është alarmante si me listën esenciale të barnave, listat e pritjes për operacione, mungesë totale e progresit sa i përket sigurimeve shëndetësore, s’ka investime në pajisje dhe s’ka investim në ndërtim të klinikave shëndetësore. Stafi është i pakënaqur me kushtet e punës”, tha Bajrami.

Lidhja Demokratike e Kosovës në programin politik “Rruga e Re”, planifikon ndërmarrjen e një sërë hapash, që avancojnë dukshëm jo vetëm financimin e këtij sektori, por edhe nivelin e dhënies së shërbimeve në spitalet e Kosovës. Andaj, synimi kryesor i LDK-së është rritja e shpenzimeve publike në shëndetësi deri në 5% të Bruto Produktit Vendor.

Projektet kryesore të programit politik “Rruga e Re” në fushën e shëndetësisë janë koeficienti 150, që i bie rritje të pagave për mjekët nga 814 euro në 1110 euro, sigurimet shëndetësore, ndërtimi i Qendrës së Re Spitalore, sistemi informativ shëndetësor, menaxhimi i kontraktuar; për herë të parë në historinë e Kosovës do të ndahet menaxhmenti shëndetësor nga profesioni shëndetësor

Lidhja Demokratike e Kosovës që disa muaj, ka nisur takimet me departamentet e të gjitha fushave ekzistuese të saj. Në këto takime, përveç diskutimeve të problemeve në fushën përkatëse dhe shpalosjes së projekteve kryesore të programit politik “Rruga e Re”, që nxjerrin sektorin nga kriza, po ashtu po punohet edhe në aktualizimin e programit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024