Sulmuesi i Shqipërisë Rey Manaj është shprehur i bindur se në sfidën e radhës në Kampionatin Evropian, atë kundër Spanjës, Shqipëria do të zbres në fushë me qëllimin për të marrë fitoren jetime dhe për të bërë histori duke u kualifikuar në fazën tjetër të Euro 2024.
Në konferencë për media, Manaj tha se fakti që nuk morën pikët e plota ndaj Kroacisë i ka lënë të zhgënjyer, por që tani vëmendja është tek Spanja.“Ekipi është shumë i motivuar, besojmë që edhe ndeshja e fundit është ndeshje o brenda o jashtë dhe normalisht të gjithë lojtarët si ata që do të luajnë nga fillimi si ata të stolit do të jenë të përqendruar 100 përqind sepse e pamë shumë mirë që në dy minuta mund të futet një lojtar në minutën e 85’ të ndryshojë ndeshjen dhe të bëjë gol. Emocionet janë të mëdha sepse është Kampionat Evropian, gjithë Shqipëria i ndjekë këto ndeshje si e gjithë bota”, theksoi Manaj:
Sa i përket synimit për të gjetur golin e parë, Manaj theksoi se më e rëndësishme është ecuria e kombëtares se sa objektivat personale të lojtarëve.