Observatori dhe Planetariumi i parë Kombëtar në Kosovë është hapur sot në Rashincë të Shtimes, përmes një ceremonie solemne. Hapja e kësaj qendre shkencore, ndërtimi i së cilës kushtoi mbi 300 mijë euro, po konsiderohet të jetë ndër ngjarjet më të veçanta dhe historike për vendin tonë.
Vrojtimi i diellit me teleskop , punëtori praktike me teleskop të udhëhequr nga astronautë me renome botërore, shfaqje shkencore në planetarium, vrojtimi i qiellit gjatë natës para teleskopit të Observatorit dhe Planetariumit, janë vetëm disa nga aktivitetet që qytetarët e Kosovës do të mund t’i bëjnë me inaugurimin e kësaj qendre.Aliu tha se me kushtet që ofroj kjo qendër, të rinjtë do të kenë mundësi të përjetojnë mrekullitë e universit, duke zgjuar kureshtjen e tyre.
“Sot është ditë e veçantë dhe historike jo vetëm për komunën tonë por edhe për gjithë shtetin e Kosovës dhe më gjerë…Ky projekt unik nga sot e tutje do ta vendosë komunën tonë në hartë të vendeve ku u kushtohet vëmendje hulumtimit shkencor dhe astronomik, që do të ketë ndikim të thellë në të ardhmen e fëmijëve tanë…Me këtë Observator dhe Planetarium ne po hapim dyer të reja për zhvillimin e shkencës në vendin tonë. Fëmijët dhe të rinjtë tanë do të kenë mundësinë të mësojnë e përjetojnë nga afër mrekullitë e universit duke ua nxitur dashurinë dhe kuriozitetin për shkencën. Po ashtu, do të kemi mundësi të mirëpresim astronom dhe studiues nga e gjitha bota duke e bërë komunën tonë si një qendër të rëndësishme të hulumtimeve shkencore”, tha Aliu.
“Jam e lumtur të jem në inaugurimin e Observatoriumit dhe Planetariumit e cila është edhe madhështia dhe bukuria e universit, që zgjon interesin kolektiv në masë të gjerë. Kjo jo vetëm se po u ofron kushtet e nevojshme për hulumtimin nga shkencëtarët tonë, por njëkohësisht është një stimulim i jashtëzakonshëm për të rinjtë e të rejat që janë të magjepsur nga hapësira dhe kozmosi dhe duan të dinë më shumë për to. Çdo mundësi e re për të zgjeruar horizontet tona, na bënë të reflektojmë më thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të shkencës në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, zbulimin e të kuptuarit të dukurive hapësinore na shërben të gjithëve të këtij planeti blu sepse na bënë të vetëdijshëm për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit në kohë sfidash mjedisore”, u shpreh Nagavci.
Ndërkaq, drejtori i Celestron dhe donator kryesor i observatorit, Corey Lee përmes një videoje potencoi se Observatoriumi dhe Planetariumi nuk është thjeshtë një ndërtesë, por është rezultat i një udhëtimi të jashtëzakonshëm të mbushur me pasion dhe këmbëngulje.
“Sot është një ditë e veçantë derisa festojmë hapjen e Observatorit Kombëtar dhe Planetariumit të Kosovës. Nuk është thjesht një ndërtesë, por është rezultat i një udhëtimi të jashtëzakonshëm të mbushur me pasion dhe këmbëngulje. Në vitin 2018 takova Pranverën, një grua të re nga Republika e Kosovës, e cila kishte ëndrra të mëdha për të sjellë mrekullitë e hapësirës në komunitetin e saj. Ajo filloi me organizimin e tre ngjarjeve të vëzhgimit të yjeve duke përdorur teleskopë të thjeshtë në vende publike. Astronomy Outreach of Kosovo, të cilët me shpejtësi ngjallin interes për astronominë në mesin e mijërave që nuk e kanë përjetuar kurrë atë më parë... Ne jemi të lumtur të ofrojmë më të mirën tonë ... sistemin me një kube kryesore observatori. Jemi të ngazëllyer të shohim se si ky teleskop frymëzon kuriozitet dhe zbulim për brezat e ardhshëm”, theksoi Lee.
Donator i Teleskopit Diellor më të madh në Evropën Lindore, që e solli në Kosovë, Stephen Ë. Ramsden, tha se organizata e tij nga viti 2015, kur edhe kishte kontaktuar me themeluesen e organizatës së Astronomisë (AOK), Pranvera, kanë dërguar teleskopë në Kosovë.
“Ne i kemi dërguar teleskopë Pranverës (themeluesja e Astronomy Outreach Kosova). Në fakt, shumica e teleskopëve brenda dikur ishin në garazhin tim dhe vinin nga shtëpia ime. Dhe ne e kemi sponsorizuar që nga viti 2015. E prezantova me Celestron, me Kevin , Cory dhe Robert Reaves dhe SkyËatcher USA. Këta njerëz më kanë besuar kur e solla tek ata, sepse ajo kryen punën e vështirë. Ajo nuk ka vetëm fjalë. Organizata ime është private. Unë e drejtoj atë me disa miq dhe ne mbështesim njerëzit në të gjithë botën që punojnë shumë dhe bëjnë atë që thonë se do të bëjnë... Ne jemi shumë, shumë krenarë që jemi këtu për herë të dytë, dhe e di që është shumë nxehtë jashtë, por ju lutem ejani dhe mos ngurroni të flisni me mua për çdo gjë në lidhje me këtë. Ne jemi super, super krenarë për të…Njerëzit këtu e duan SHBA-në më shumë sesa ata në SHBA”, tha Ramsden.
Ndërtimi i kësaj qendre ka filluar para rreth dy vjetësh, kur edhe u nënshkrua marrëveshje mirëkuptimi mes ministres së Arsimit Nagavci dhe kryetarit Aliu, për realizimin e projektit ‘Ndërtimi i Observatorit dhe Planetariumi i parë në Kosovë’ si bashkëfinancim mes MASHTI-t dhe Komunës së Shtimes”. Observatori dhe Planetariumi do të jenë në shërbim të zhvillimit të aktiviteteve mësimore dhe jashtë-mësimore të nxënësve dhe të rinjve nga gjithë territori i Republikës së Kosovës.