Vizita e Lajçakut në Kosovë nuk i shuan “spekulimet” për masat e BE-së
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Vizita e emisarit të Bashkimit Evropian në Kosovë Miroslav Lajçak, një ditë më parë u prit se do t’i shuaj “spekulimet” rreth temës për heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës.

Megjithatë, emisari Lajçak ka shprehur vetëm qëndrimin e tij se është pro heqjes së masave derisa tha se këto janë vendime që merren nga shtetet anëtare.

Lajçak të martën është takuar me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi ndërsa sot do të zhvilloj vizitë në Beograd.

Ndërsa arsyeja e vizitës së tij në Prishtinë ishte rifokusimi në procesin e dialogut mes dy vendeve si dhe plani i rritjes së BE-së. E për raportin të kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell për masat, Lajçak në Prishtinë tha se pritet të diskutohet të mërkurën në komisionin politik dhe të sigurisë, nga shtetet anëtare.

“Dhe kjo (heqja e masave) varet nga diskutimi, nga rezultati i diskutimit”, tha Lajçak.

https://kosovapress.com/lajcak-raporti-per-masat-ndaj-kosoves-diskutohet-neser-jam-pro-largimit-te-tyre

E hapja e temës së raportit të kryediplomatit Borrell u bë ditë më parë nga ekzekutivi. Këta të fundit janë shprehur optimist se aty rekomandohet largimi i masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Zëvendëskryeministri për integrime evropiane dhe dialog, Besnik Bislimi kishte thënë se ka informacione se përmbajtja e raportit të Borrell do të jetë pozitiv.

"Në bazë të informacioneve që neve na kanë ardhur raporti i zotëri Borrel, i cili është parakusht për trajtimin nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian është përpiluar që nga muaji prill, mirëpo ka pasur hezitime që i njëjti të dërgohet në komision për shkak se si duket ka ende disa individë brenda komisionit të cilët kanë interes ta shtyjnë heqjen e masave ndaj Kosovës... Unë besoj që i njëjti do të dërgohet për aprovim në këshill gjatë javës së ardhshme. Përmbajtja e raportit me sa e di unë është pozitive dhe aty do të rekomandohet heqja e masave”, kishte deklaruar Bislimi.

Për deklarimet e Bislimit, Bashkimit Evropian ka reaguar menjëherë.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, raporti ka të bëjë me dinamikat e institucioneve të BE-së, dhe ka thënë se askush jashtë BE-së nuk duhet të spekulojë rreth përmbajtjes dhe afateve.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se afati i dorëzimit të raportit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, rreth masave të vendosura ndaj Kosovës, dhe përmbajtja e këtij raporti, janë çështje ndër-institucionale të BE-së, dhe rreth tyre nuk mund të spekulojnë akterët jashtë bllokut evropian.

https://kosovapress.com/be-nuk-duhet-spekuluar-rreth-raportit-te-borrellit-per-masat-ndaj-kosoves

Derisa për këto deklarime të martën është pyetur edhe kryeministri Albin Kurti për ta dhënë qëndrimin e tij.

Kurti nuk është përgjigjur lidhur me deklaratat e zyrtarëve të BE-së, të cilët i kanë quajtur spekulime lajmet lidhur me heqjen e masave të vendosura për Kosovën.

“Nuk mendoj që duhet të spekuloj për spekulimet”, ka thënë Kurti.

Borrell një ditë më parë më 18 qershor ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës më shumë se një vit më parë. Kjo është konfirmuar zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

Në raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit, në maj dhe qershor të vitit 2023.

https://kosovapress.com/borrell-ua-dorezon-vendeve-te-be-se-raportin-per-masat-ndaj-kosoves

I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, theksoi se ai është pro largimit të masave ndaj Kosovës dhe se këtë gjë ua ka përsëritur vendeve të BE-së, por që ai vet nuk është pjesë e këtij procesi.

Ndërkaq dëmet që iu kanë shkaktuar Kosovës nga masat ndëshkuese sipas raportimeve llogariten të jenë rreth 300 milionë euro.

Masat ndëshkuese BE-ja ia vendosi Kosovës në qershor të vitit të kaluar pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.

Si e vlerësoni punën e Liburn Aliut në krye të Ministrisë së Infrastrukturës?
Shumë të mirë
Mirë
Dobët
Shumë të dobët
Voto
34
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024