Borrell ua dorëzon vendeve të BE-së raportin për masat ndaj Kosovës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës më shumë se një vit më parë, ka konfirmuar zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

Në raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit në maj dhe qershor të vitit 2023.

Atëbotë, BE-ja pati thënë se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim të situatës.

Megjithatë, nuk dihet nëse Borrell ka rekomanduar heqjen e masave.

Diskutimi i parë rreth këtij raporti do të mbahet të mërkurën në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.

Megjithatë, në atë takim nuk pritet të merret një vendim se si të veprohet për masat.

Dorëzimi i këtij raporti, qoftë edhe me rekomandim të qartë, nuk do të thotë se masat hiqen menjëherë.

Ky raport vetëm do t'iu shërbejë vendeve anëtare për ta rikthyer këtë çështje në agjendë dhe për të filluar shqyrtimin e mundësisë së heqjes së masave në të ardhmen.

Ndonëse ka kaluar një vit, pak dihet se kush saktësisht është prekur prej këtyre masave.

Zyrtarët kanë thënë publikisht se janë pezulluar takimet mes zyrtarëve evropianë dhe atyre të Kosovës, janë pezyulluar disa takime në kuadër të procesit të stabilizim-asociimit dhe janë pezulluar dhe janë ndaluar prokurimet e reja të projekteve që burojnë nga IPA 2023 [Instrumentet e Para-Anëtarësimit], dhe nuk kanë filluar diskutimet për IPA 2024.

Zyrtarë të BE-së kanë diskutuar për herë të parë rreth mundësisë së heqjes së masave në prill të këtij viti, andaj edhe kanë kërkuar një raport prej Borrell-it.

Disa burime diplomatike i patën thënë Radios Evropa e Lirë atë muaj se shumica e vendeve të bllokut janë në favor të heqjes së masave kufizuese për Kosovën,

Dallimi i vetëm mes vendeve anëtare ka qenë nëse masat duhet të hiqen menjëherë apo gradualisht. /REL/

A duhet të testohen mësimdhënësit?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
197
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024