Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar sot në Prizren jetën dhe veprën e profesorit të shquar Ukshin Hoti, me rastin e datëlindjes së tij të 81-të.
Në këtë datë të veçantë, kryeministri Kurti tha se Ukshin Hoti kishte arritur që formimin e tij intelektual dhe profesional t’i arrinte në moshë shumë të re.
Ai ftoi që të rikthehemi te vepra dhe shembulli që na ofron jeta e Ukshin Hotit.
“Le ta bëjmë këtë gjithnjë në frymën kritike që e mishëronte më së miri vetë ai. Kritika shoqërore e informuar nga një respekt i paepur për të vërtetën na duhet sot po aq sa edhe në kohën kur jetonte e vepronte Hoti. Sot kemi dy organe të mendimit shoqëror shqiptar, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës. Le të punojmë fort e bashkë që këto dy organe të bashkërendohen me njëra-tjetrën në interes të vullnetit, të drejtave e nevojave të kombit shqiptar”, tha Kurti.
Me rastin e datëlindjes së 81-të të Ukshin Hotit, në Universitetin e Prizrenit që mban emrin e tij, u shfaq edhe ekspozita “Bëje ose vdis” me fotografi nga jeta dhe vepra e Ukshin Hotit, letra të tij nga burgu, dorëshkrime të ndryshme dhe artikujt të shtypit.