Përurohet Shtegut i Lirisë “Pashtriku” në Has-Pashtrik
Lajme
Lexohet për: 2 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua

Në kuadër të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, kryeministri Albin Kurti mori pjesë në përurimin e Shtegut të Lirisë “Pashtriku” Has-Pashtrik, ku 25 vjet më parë ranë dëshmorë 42 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke bërë transportimin e armatimeve nga Shqipëria në Kosovë.

Kurti tha se 13 dhjetori i vitit 1998, me kushte të vështira atmosferike e temperatura të ulëta, nuk lëkundi vullnetin dhe përkushtimin e 147 ushtarëve në krye me Mujë Krasniqin që të marrin rrugën për realizimin e operacionit për furnizimin e UÇK-së me forca dhe armatim shtesë.

Ai ktheu në kujtesë se më 14 dhjetor 2023, me nismë të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së së Degës së Hasit, Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim  dhe Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës, dhe me mbështetje të Ministrisë së Kulturës filluan projektin që po përurohet sot – shenjëzimi i “Shtegut të Lirisë” edhe si shteg garash për motoçiklistët dhe shteg ecjesh për bjeshkatarët.

“Duke ndjekur këtë rrugë, motoçiklistët do të përjetojnë bukurinë natyrore të maleve tona, por edhe të mësojnë përpjekjet heroike të ushtarëve të UÇK-së. Duke sjellë në kujtesë historinë tonë të lavdishme te të gjithë ata që e kalojnë këtë shteg duke ecur, njëkohësisht po promovojmë zhvillimin e turizmin malor dhe rural”, tha Kurti.

Shtegu i Lirisë së Pashtrikut, përshkon gjatësi prej 27 km, për të kaluar nga Kruma në Cahan, nga Stanet e Pashtrikut deri te Likenet e Hasit.

Federata e Motoçiklizmit të Kosovës, sot për herë të parë organizon garën “Kupa e Kosovës” me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilët do të nisin garën nga Likenet e Hasit për ta përmbyllur atë në Krume.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024