Tahiri: Kurti e ka pranuar Asociacionin, s’po e themelon për shkak të zgjedhjeve
Intervista
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Besnik Tahiri thotë se kryeministri Albin Kurti e ka pranuar Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, por për shkak të zgjedhjeve nuk po e themelon.

Ai akuzon kreun qeveritar se tentoi të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme më 7 korrik për qëllime të tij puro politike. Sipas Tahirit, kryeministri Kurti donte që të prekë ndjenjat e qytetarëve duke përdorur parakalimin e FSK-së dhe policisë në 25-vjetorin e çlirimit si dhe të hapë Urën e Ibrit para zgjedhjeve, mirëpo siç thotë ai opozita nuk ra në grackën e Kurtit.

Tahiri në një intervistë për KosovaPress thotë se Qeveria e Kosovës duhet të del me një draft të vet sa i përket asociacionit, derisa konsideron se ideja që drafti i BE-së të dorëzohet në Komisionin e Venecias është vetëm një “shaka” e llojit të vet.  

Shefi i deputetëve të AAK-së kërkon nga Bashkimi Evropian të heqë sa më parë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Krahas kësaj, Tahiri thotë se delegacioni i Kuvendit të Kosovës javën e ardhshme do të jetë në Strasburg, ku do të shikohen mundësitë që të ftohet një takim i jashtëzakonshëm i Komitetit të Ministrave për anëtarësimin e Kosovës.

Megjithatë, ai shton se Kosova do të ketë të vështirë të përfshihet në agjendë pa një konsensus të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

Kushtin e tyre për procedimin e draft-statutit të asociacionit të propozuar nga BE në Gjykatën Kushtetuese, Tahiri e quan të padrejtë.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Tahiri e konsideron të domosdoshme që Bashkimi Evropian të ndryshojë qasje pas zgjedhjeve të strukturave të reja në shtator.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë ditë më parë për KosovaPress se qeveria do ta shqyrtojë draftin e BE-së për asociacionin vetëm nëse Serbia e zbaton në tërësi marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit. /E.Zeqiri/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024