Shtrenjtimi i kurbanit nuk ndalon besimtarët ta kryejnë obligimin e tyre fetar
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Therja e kurbanit vazhdon të jetë një ritual i rëndësishëm fetar e kulturor që përcakton Kurban Bajramin. Besimtarët myslimanë, siç thonë ata, i përgjigjen thirrjes së Zotit për bamirësi, derisa njohësit e fesë potencojnë se qëllimi i këtij akti është afrimi me Zotin. Rritja e çmimit të kurbaneve, pavarësisht se po krijon pakënaqësi te blerësit, kjo nuk i ndalon ata për ta kryer këtë obligim fetar.

Imami i Xhamisë “Bedri Kamberi” në Prishtinë, Labinot Maliqi thotë se kurbani si akt daton që nga njeriu i parë, Ademi, derisa potencon se qëllimi i therjes së kurbanit është afrimi me Zotin dhe bamirësia.  

Për KosovaPress Maliqi tregon se ndarja e mishit të kurbanit duhet të bëhet në tri pjesë, një për veten, një për familjarët dhe tjetrën për nevojtarët, jetimët apo edhe të tjerë.

Blerja e kurbaneve nga qytetarët e besimit islam bëhet nëpër ferma apo edhe vende të tjera.

Ferma “Te Gasht” tash e disa vite merret me blegtori, duke bërë mbajtjen, shitjen dhe therjen e kurbaneve.

Albion Gashi për KosovaPress thotë se këtë vit ka pasur interesim të madh për blerjen e kurbaneve, pavarësisht se çmimi i tyre ka shënuar rritje. Ai tha se çmimi për një dele fillon nga 200 euro, derisa tregon se për këtë bajram ka shitur mbi 150 kafshë për kurban dhe se pritet që numri të rritet gjatë këtyre dy ditëve.  

Ndërkaq, një fermer tjetër, i cili nuk ka dëshiruar të prononcohet para kamerës thotë se çmimi i deleve fillon nga 230 deri në 300 euro.

Ani pse çmimet janë ngritur, besimtarët myslimanë po vazhdojnë ta bëjnë prerjen e kurbanit.

Islam Rrahimi tregon se për çdo vit bën therjen e kurbanit, derisa kujton kohët e para disa viteve, për cak potencon se ky veprim kishte vlerë më të madhe për nevojtarët. Por, Rrahimi thotë se për kushtet dhe standardin e jetesës në Kosovë, çmimet e kafshëve për kurban, janë të shtrenjta.

Edhe Gani Sijarina thotë se ditën e Kurban Bajramit do ta bëjnë therjen e kafshës. Ai tregon se e shpërndajnë mishin e kurbanit në tri apo më shumë pjesë, ashtu siç e thotë edhe feja islame, porse shton se disa edhe nuk e pranojnë atë.

Dita e parë e Kurban – Bajramit është të dielën më 16 qershor 2024. Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. /Z.Zeneli/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024