Ismaili i drejtohet Punëtorisë Rajonale të FMN-së: Një hap kyç drejt avancimit të praktikave të të dhënave
Lajme
Lexohet për: 3 min.
4 ditë më parë
Linku u kopjua

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili mbajti fjalën hyrëse në Punëtorinë Rajonale të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) mbi Standardin e Veçantë të Pasqyrimit së të Dhënave (SDDS), që shënon një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt përmirësimin e praktikave të raportimit dhe pasqyrimit të të dhënave. Kjo ngjarje që zgjat pesë ditë, mbledh përfaqësues nga Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Sllovenia, së bashku me ekspertë të FMN-së, për të shkëmbyer njohuri dhe përvoja në avancimin drejt SDDS. Organizuar nga FMN-ja, në bashkëpunim me BQK-në dhe me mbështetjen financiare të Qeverisë së Japonisë, kjo punëtori nënvizon angazhimin e përbashkët të BQK-së për përmirësimin e praktikave të raportimit dhe pasqyrimit të të dhënave.

Në njoftim thuhet se guvernatori Ismaili, i shoqëruar nga Keisuke Yamanaka, i Ngarkuar me Punë i Ambasadës së Japonisë në Republikën e Kosovës dhe Z. Jesus Gonzalez-Garcia, ekspert i FMN-së, theksoi rëndësinë e kalimit nga Sistemi i Përgjithshëm për Pasqyrimit të të Dhënave (GDDS) në SDDS, një sistem më i avancuar në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Ky avancim përputhet ngushtë me Planin Strategjik dhe objektivat për përmirësimin e proceseve dhe praktikave të brendshme të BQK-së.

“Kjo ngjarje e ngritjes së njohurive dhe shkëmbimit të përvojave e cila është duke u mbajtur në Prishtinë, u ofron pjesëmarrësve nga vende të ndryshme një mundësi të veçantë për të identifikuar dhe vlerësuar boshllëqet ekzistuese në të dhëna dhe për të ndërtuar plane pune që synojnë avancimin e standardeve të pasqyrimit të të dhënave. Objektivi i kësaj punëtorie transformuese kontribuon në një transparencë dhe efikasitet më të madh në raportimin e të dhënave për shumë institucione të rajonit tonë”, thuhet në raport.

Më tej thuhet se duke shprehur mirënjohjen dhe mbështetjen e palëkundur ndaj FMN-së, guvernatori Ismaili nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucione si FMN-ja, të cilat janë të rëndësishme në mbështetjen e këtyre reformave thelbësore. Gjithashtu, Guvernatori Ismaili falënderoi Qeverinë e Japonisë për mbështetjen e paçmueshme, e cila kontribuon dukshëm në angazhimet e BQK-së, si dhe të institucioneve të tjera rajonale, në raportimin e të dhënave përmes këtij projekti.

Në fund, Guvernatori i BQK-së theksoi gjithashtu edhe rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional, përfshirë Agjencinë e Statistikave të Kosovës, duke theksuar domosdoshmërinë e shkëmbimit të njohurive dhe bashkëpunimit të ngushtë, ndërsa rikonfirmoi përkushtimin e BQK-së për të nxitur transparencën sa më të madhe të të dhënave dhe publikimeve me objektivin për mbështetjen e stabilitetit financiar të Republikës së Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024