Plani i ri i luftës, dorëhiqet Gantz: Netanyahu po na pengon drejt fitores së vërtetë
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Një anëtar i kabinetit të luftës të Izraelit Benny Gantz ka dhënë dorëheqjen, duke e lënë qeverinë e djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu pa forcën e saj të vetme qendrore.

"Netanyahu po na pengon të ecim drejt fitores së vërtetë (në Gaza)," tha Gantz në një fjalim televiziv, duke shtuar se vendimi për t'u larguar nga qeveria ishte "i ndërlikuar dhe i dhimbshëm", sipas CNN.

"Kjo është arsyeja pse ne po largohemi nga qeveria e emergjencës me zemër të rëndë, por me gjithë zemër," tha Gantz, rivali kryesor politik i Netanyahut, të cilin ai më parë e njoftoi se do të jepte dorëheqjen nëse nuk shpallte një plan të ri lufte ndaj Hamasit në Rripin e Gazës deri më 8 qershor.

Në të njëjtën kohë, Gantz i bëri thirrje Netanyahu-t të caktojë një datë për zgjedhje të parakohshme, sipas Times of Israel.

“Për të siguruar një fitore të vërtetë, do të ishte e përshtatshme që në vjeshtë, një vit pas katastrofës, të zhvillohen zgjedhje të reja, të cilat mund të çojnë në formimin e një qeverie që do të ketë besimin e popullit dhe do të jetë në gjendje të përballet me sfidat,” vuri në dukje Gantz.

Gantz pritej të jepte dorëheqjen të shtunën, por shtyri vendimin pasi forcat izraelite liruan katër pengje në Gaza.

Dorëheqja e Gantz erdhi pavarësisht se Netanyahu i bëri thirrje të shtunën të qëndrojë në qeverinë e urgjencës, duke thënë se ajo që Izraelit i duhet tani është uniteti, jo ndarja.

Vendimi i Gantz nuk e rrezikon qeverinë e Netanyahut, pasi partia e tij nuk është pjesë e koalicionit të kryeministrit, i cili ende mban shumicën prej 64 vendesh në parlamentin me 120 vende. Vetëm përfaqësuesit e Likud të Netanyahu-t mbeten në Kabinetin e Luftës, i cili u formua pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024