Fronti europian mbështetjeje për Marco-n, entuziazëm te bashkatdhetarët se do të kenë eurodeputetin e parë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Dita e parafundit e fushatës së kandidatit Marco-Muharrem Salihu kaloi sa në takime intensive me grupe të mëdha mbështetësish në Trento, Treviso,Padova, Mestre, Venezia, ashtu dhe në intervista për media të ndryshme në mediat kombëtare.

Mbërriti video dëshmia mbështetëse e deputetit austriak, mik i madh i kombit shqiptar dhe i Kosovës në veçanti, Lucas Mandl, i cili shprehu besimin se së bashku me Marco-n do luftonin për një Europë më të mirë. Mandl plotësoi thirrjet mbështetëse të disa eurodeputetëve ekzistues në favor të kandidatit shqiptar.

Ndërkohë ishte shumë emocional dhe përmbajtësor takimi në Trento ku ishin të pranishëm dhjetra bashkëatdhetarë nga të gjithë viset e provincës autonome. Një mësuese që kishte parë intervistën e kandidatit në Klan për shkollën e parë shqipe në Venezia në 1458, foli për rrezikun e asimilimit të fëmijëve shqiptarë nëse do mësohet në mjedise private.

Ajo kërkoi që shqipja të mësohet në shkollat publike italiane. Marco (Muharrem Salihu), premtoi se do ta mundësoj këtë, duke shpjeguar hapat pozitivë që ai ka bërë në Veneto.

¨Si ish mësues, e di rëndësinë e mjedisit që nxënësit të mësojnë si duhet, ndaj do kërkoj që Italia si krejt Europa të lejojë fëmijët tanë të mësojnë shqip. Venezia 600 vjet me pare na e mundesoi te kemi shkolle shqipe, aq me shume Italia moderne do na ndihmoje qe shqiptaret te mos asimilohen¨, tha ai.  Një djalë i ri mbajti një fjalim emocional: ¨jam nga Sina e Dibrës ku ka lindur Skënderbeu. Mbajmë tatuazhe, ndjekim kombëtaren, ta tregojmë sa patriotë jemi ne 150 mijë shqiptarë me të drejtë vote,  duke dërguar një shqiptar të madh në Parlamentin Europian. Kujtoni porosinë e Skënderbeut, të jemi bashkë¨, tha ai.

Një tjetër bashkëatdhetar, mësues gjithashtu ftoi bashkatdhetarët të votojnë kuqezi, dhe i tha kandidatit: ¨njëjtë si Kombëtarja shkoi në Francë dhe tani në Gjermani, ju do jeni Europiani i parë që shkon në BE¨.

Kandidati foli me disa votues të herës së parë, duke i premtuar se do jetë përfaqësues i cilësive më të mira shqiptare në institucionet europiane.

Takim entuziast në një mjedis ku kishte bashkëkombas dhe italianë, ai pati në lokalin Locomotiva, në Padova, ku shumë të pranishëm premtuan votën në favor të tij, si individë, familje e miqësi. Marco Muharrem Salihu foli për rëndësinë e çdo vote për të mundësuar një objektiv historik që pastaj do t i hapte rrugën disa eurodeputetëve shqiptarë të zgjedhur nga diaspora.

Ndërkohë dhe figura të medias, të artit e kulturës nga Kosova kanë bërë thirrje për të votuar kandidatin e vetëm shqiptar në krejt territorin italian.

Sondazhet e fundit konfirmojnë atë që ngjan prirja e terrenit, se kandidati shqiptar do të marrë mandatin e eurodeputetit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024