Jetëgjatësia në Kosovë, Bajrami i “rroket” Muratit: Ministër i dështuar
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Hekuran Muratin për dështim si ministër i Financave, pasi ky i fundit publikoi të dhënat e Bankës Botërore mbi jetëgjatësinë mesatare të pritur në Kosovë.

Murati ka thënë se këto të dhëna tregojnë mbi rritjen e cilësisë së jetës në vend, ku jetëgjatësia mesatare është 80 vite apo rreth 4-5 vjet më e lartë se mesatarja në Ballkanin Perëndimor.

Deklarimet e ministrit nga partia në pushtet për ish-ministren Bajrami janë  propagandë në kohën kur Kosova vazhdon të tkurret nga ikja e të rinjve dhe vazhdon të mos ketë investime të huaja, përkundër premtimeve për realizimin e projekteve.

Bajrami ka përkujtuar si “ende të freskët” dështimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, teksa Kosova po humbë qindra miliona euro nga sanksionet e BE-së dhe vazhdon të mos ketë asnjë njohje për gati katër vjet të keqqeverisjes Kurti.

Për më tepër, Bajrami ka akuzuar Qeverinë për “alokim” të buxhetit te “dostat” përmes tenderëve njëburimor duke ndërhyrë në institucione të pavarura me  militantë partiakë e familjarë.

“Nepotizmi ka arritur kulmin. Ka heshtje dhe miratim nga partia e mashtrimit dhe propagandës për shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes që koordinohet me Radoiçiq. Në krye të arsimit kemi një shkelëse të Kushtetutës. Kanë mashtruar që kanë premtuar ndërtimin e 160 çerdheve e ende s’i kanë ndërtuar as 10 prej tyre. Ministri i dështimeve paska thënë ''është rritë cilësia e jetës''. Me çka ministër? Me rritje dyfish të çmimeve të produkteve ushqimore/rritje të varfërisë? Me rritje të çmimit të energjisë elektrike? Me investime zero në shëndetësi? Me investimet zero në ambient? Me investime zero në energji të ripërtritshme? Apo me rritje të korrupsionit? Ka rrezik që Hekurani beson që Albin Kurti edhe shpirtin e tij e të qytetarëve të këtij vendi e ka në dorë. Jo, mashtrimet nuk kalojnë, me propagandë nuk mund të qeverisni më”, përfundon Bajrami.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024