Para katër vjetësh Qeveria Hoti hoqi reciprocitetin ndaj Serbisë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Sot mbushen katër vjet qëkur Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Avdullah Hoti hoqi masën e reciprociteti ndaj Serbisë, e cila u vendos nga Qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurti pas heqjes së taksës 100 për qind të importit të mallrave nga Serbia.

Me sugjerimin e kryeministrit Hoti, me shumicë votash të kabinetit qeveritar u anuluan vendimet e qeverisë së mëparshme të miratuara më 20 mars dhe 30 maj për futjen graduale të reciprocitetit, në vend të taksës 100 për qind të mallrave nga Serbia.

Anëtarët e Qeverisë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës së Ramush Haradinajt votuan kundër këtij vendimi, i cili si kryeministër në dhjetor 2019, futi taksat 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Pas seancës së qeverisë, kryeministri Hoti tha se shfuqizimi i vendimit të mëparshëm për futjen e reciprocitetit heq pengesën për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Ai theksoi se heqja e pengesave nga pala e Kosovës do të jetë e vlefshme për një kohë të caktuar në mënyrë që të sigurojë një shans për dialog, ndërsa partnerët ndërkombëtarë pritet të bëjnë presion ndaj Serbisë. Ai shtoi se në rast se dialogu nuk jep rezultate, Qeveria e Kosovës ruan të drejtën e kthimit të masave.

Serbia kishte ndërprerë dialogun kur Kosova futi taksat 100 për qind për importin e mallrave të tyre, ndërsa bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, insistuan në heqjen e tyre në mënyrë që të krijojnë kushte për vazhdimin e dialogut.

Në të njëjtën kohë, nga Serbia u kërkua që t'i jep fund fushatës së saj agresive për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si UNICEF dhe INTERPOL, që ishte arsyeja e futjes së taksës.

Më pas, ish-kryeministri dhe drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vendosi të zëvendësojë taksat me reciprocitet, me të cilin nuk u pajtua Lidhja Demokratike e Kosovës, partner i koalicionit në qeverinë e kaluar, dhe kjo çoi në rrëzimin e Qeverisë Kurti pas vetëm 50 ditësh.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024