Maqedoni e Veriut: Hristian Mickoski ende pa datë për marrjen e mandatit
Një ditë pasi presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Silanovska Davkova deklaroi se mandatari do ta merr mandatin për formimin e qeverisë javën e ardhshme, nga VMRO-DPMNE nuk potencojnë se në cilën ditë kjo mund të ndodhë.
Ata mbeten në deklarimet e ditëve të fundit se negociatat mes partnerëve të ardhshëm të koalicionit janë drejt fundit.
“S’mund të them asgjë më shumë nga ajo që edhe deri më tani është thënë publikisht ose në komunikatën që dërguam te mediat. Kur të ketë ndonjë hap të ri, sigurisht se do ta kumtojmë për qytetarët”, tha Naum Stoillkovski nga VMRO-DPMNE.
Ditë më parë, VLEN deklaroi se procesi i negociatave vazhdon me intensitet të lartë. Ndërsa nga ZNAM presin që Mickoski të merr mandatin për të zyrtarizuar marrëveshjen.
Numri i përgjithshëm i deputetëve të të tri subjekteve që pritet të bashkëqeverisin është 58, por ato kanë biseduar hapur për mundësinë e rekrutimit të deputetëve të tjerë nga radhët e partive që me konstituimin e Kuvendit, u konstatua se do të jenë në opozitë.
Fronti Evropian ka thirrur mbledhje të strukturave partiake dhe përfaqësuese të koalicionit për nesër. Agjenda e takimit dhe pikat e rendit të ditës nuk janë bërë të njohura. Ata ditë më parë thanë se me marrëveshjen VMRO DPMNE-VLEN shkelet legjitimiteti i përfaqësimit të shqiptarëve dhe cenohet Marrëveshja e Ohrit. /Alsat.mk