Gërvalla takon diasporën shqiptare në Kanada
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Me qëllim të fuqizimit të lidhjeve mes mërgatës dhe Kosovës, shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla ka takuar mërgimtarë shqiptarë në Hamilton dhe Otava të Kanadasë. 

Në bashkëbisedimin e mbajtur në Otavë, ministrja Gërvalla mori pjesë në hapjen ekspozitës së piktorit Zeqirja Rexhepi, duke e vlerësuar lart kontributin e tij dhe diasporës sonë në ngritjen e imazhit tonë në botë. 

Bashkëbisedimet sollën një debat të frytshëm dhe frymëzues për të diskutuar rolin dhe kontributin e mërgimtarëve në zhvillimin dhe përparimin e Kosovës. 

Gërvalla u shpreh e kënaqur për pjesëmarrjen e gjerë dhe interesin e shfaqur nga komuniteti i mërgimtarëve në Kanada. 

Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e lidhjeve të ngushta me mërgatën dhe nevojën për të forcuar bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Ministrja Gërvalla theksoi se mërgimtarët luajnë një rol kyç në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe politik të Kosovës.

Ajo inkurajoi mërgimtarët të angazhohen në jetën politike dhe ekonomike të vendit, duke u dhënë rëndësi të veçantë kontributit të tyre në ndërtimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Kosovë.

Në fokus ishin edhe iniciativat e qeverisë për të përforcuar lidhjet me mërgatën, si Ligji për Diasporën dhe programi për diplomaci publike “Citizen Diplomacy Fellowship”. 

Diskutimi u shoqërua edhe me prezantimin e mundësive për pjesëmarrje aktive të mërgimtarëve në jetën politike të Kosovës dhe organizimin e votimeve në ambasadat dhe konsullatat në Kanada.

Në përfundim të bashkëbisedimeve u shfaqën edhe filma si pjesë e javës së Kulturës së Kosovës në Kanada, në 25-vjetorin e pritjes së refugjatëve nga Kosova në Kanada dhe 15-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024