Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese lëshoi sot aktgjykimin në lidhje me kërkesën referuese të paraqitur nga Nasim Haradinaj, për shkelje të të drejtave dhe lirive të tij në kontekstin e procesit penal kundër tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktgjykim, Dhoma Kushtetuese e shpalli një pjesë të ankesës së tij të papranueshme dhe hodhi poshtë pjesën tjetër, duke konstatuar se nuk kishte asnjë shkelje të Kushtetutës së Kosovës ose të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore.Në lidhje me këtë, Dhoma Kushtetuese konstatoi se Haradinaj nuk kishte shfrytëzuar si duhet të gjitha mjetet juridike të efektshme sipas ligjit për dy prej pretendimeve të tij dhe e shpalli ankesën pjesërisht të papranueshme.
Haradinaj gjithashtu ishte ankuar se kishte qenë objekt i shtytjes nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për kryerjen e veprave penale për të cilat u shpall fajtor dhe se dhomat penale gabuan në zbatimin e standardit juridik, duke ia kaluar atij detyrimin e vërtetimit në lidhje me pretendimin e tij.Haradinaj gjithashtu pretendoi se mos përjashtimi i përgjegjësisë së tij penale prej dhomave penale mbi bazën e faktorëve të interesit publik përbënte shkelje të së drejtës së lirisë së fjalës. Pasi konstatoi se Haradinaj nuk kishte shfrytëzuar mjetet juridike sipas ligjit në lidhje me këtë aspekt, Dhoma Kushtetuese e deklaroi edhe këtë ankesë të papranueshme.
Së fundi, Dhoma Kushtetuese gjykoi se interpretimi prej dhomave penale i veprës penale të “pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare me anë të kërcënimit të rëndë” logjikisht mund konsiderohet se është në përputhje me thelbin e asaj vepre penale dhe logjikisht mund të ishte parashikuar prej Haradinaj në kohën e kryerjes së saj.
Më 2 shkurt 2023, Paneli i Apelit la në fuqi fajësinë e Haradinaj për frikësim gjatë procesit penal, shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe pengim të personave zyrtarë përmes kërcënimit të rëndë. Paneli i Apelit prapësoi konstatimin e Trupit Gjykues në lidhje me pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes veprimit të përbashkët të një grupi dhe e shpalli Haradinaj të pafajshëm për këtë akuzë.
Më 2 maj 2023, Haradinaj dorëzoi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë. Në vijim, kryetarja caktoi Panelin e Gjykatës Supreme që të vendoste në lidhje me kërkesën.
Më 18 shtator 2023, Paneli i Gjykatës Supreme e hodhi poshtë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë. Më 12 dhjetor 2023, Kryetarja vendosi të modifikonte dënimin e Haradinaj duke mundësuar lirimin e tij me kushte specifike më 14 dhjetor 2023, që do të jenë në fuqi gjatë të gjithë kohëzgjatjes së dënimit.