Muzafer Osmani: Gjithçka është e sigurueshme
Intervista
Lexohet për: 6 min.
2 javë më parë
Linku u kopjua

Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, drejtori i Filialit të Sigma Kosovë në Ferizaj,  Muzafer Osmani, shpjegon dinamikën e punës, sfidat dhe çka është më e rëndësishme për t’u siguruar në këtë qytet.

Ferizaj është një ndër qytetet me dinamikën më të shpejtë të zhvillimit në Kosovë. Cilat janë sfidat që përballeni në punën tuaj të përditshme?

Ferizaj është vërtetë një qytet me dinamikën rritëse, ndoshta më të lartën në Kosovë dhe ky trend ka filluar që prej vitit 1999. Arsyet e këtij zhvillimi janë të ndryshme, por fillimisht do të veçoja aftësitë afariste të spikatura të qytetarëve të Ferizajt, e më pas investimet e mëdha, kryesisht ushtarake në kuadër të NATO, të cilat kanë rritur punësimin dhe fuqizuar bizneset e ndryshme në këtë qytet.

Tek sfidat do të përmendja në radhë të parë aspektin ‘konkurrencë’, e cila po ashpërsohet dita ditës mes kompanive siguruese në qytet, dhe kjo natyrisht për shkak të numrit të madh të kompanive në këtë industri, që operojnë në krejt Kosovën, si dhe shtrembërimin e saj nëpërmjet metodave, në disa raste jo fair të të bërit biznes. Ne mbetemi të përkushtuar që të ofrojmë produkte dhe shërbime cilësore për të mbajtur klientët tanë besnikë, si dhe për të rritur penetrimin në treg te klientët e rinj. Së dyti, zhvillimi i shpejtë urban dhe ekonomik sjell me vete evidentimin e rreziqeve të reja, deri më tani të panjohura edhe për shkak të mungesës së një kulture te avancuar në lidhje me produktet specifike të sigurimit, si dhe një ekspozimin më të lartë për shkak të dimensioneve më të mëdha të aktiviteteve afariste ndër vite. Te këto rreziqe që përfshihen dëmtimet potenciale në pronë të shkaktuara nga faktorë të një spektri të gjerë, ndërprerja e biznesit prej këtyre faktorëve, aksidentet në punë, dëme në shëndet, automjete, etj. Ne punojmë intensivisht me klientët tanë aktualë apo ata potencialë për t’i identifikuar këto rreziqe dhe për t’i bindur ata që një pjesë e tyre t’i kalojnë te kompanitë e sigurimit të specializuar dhe të besueshme në menaxhimin e tyre.

Cilat janë rreziqet që kërcënojnë më tepër individët, biznesin dhe institucionet në këtë qytet?

Nuk do veçoja rreziqe specifike, që lidhen me qytetin e Ferizajt, por do evidentoja faktin, se industria e ndërtimtarisë, ashtu si dhe në kryeqytet, ka njohur një boom vitet e fundit. Me këtë industri lidhen rreziqe, që mbulohen nga industria e sigurimeve, si: aksidentet personale, shëndeti, dëmtimet në prone, në makineri të rënda, etj. Po ashtu, industritë e ndryshme kanë njohur një zhvillim të lartë dhe kjo ka rritur dhe penetrimin me produkte specifike në përputhje me profilin e rrezikut të klientit. Edhe numri i automjeteve cilësore që kërkojnë sigurim kasko është më i lartë në krahasim me qytetet, të cilat kanë të njëjtën popullsi në Kosovë.

Sipas jush, çfarë vlen të sigurohet në Ferizaj?

Sigurimi është një instrument i rëndësishëm për të mbrojtur në radhë të parë veten, biznesin dhe pasuritë nga rreziqet e ndryshme që ekzistojnë në Ferizaj dhe kudo. Duke iu referuar shkallës së penetrimit të produkteve, në Ferizaj sigurohen në radhë të parë automjetet në kuadër të sigurimit të detyrueshëm, si dhe atij vullnetar (kasko). Ky sigurim duke iu referuar numrit të madh të aksidenteve rrugore është i rëndësishëm për të mbrojtur apo shpërblyer financiarisht palët e treta, bashkudhëtarët, si dhe për të ruajtur vlerën e aseteve të palëve të treta apo ato familjare/personale në rast aksidenti.

Së dyti për nga kontributi në primin e shkruar është sigurimi i pronës. Për pronarët e bizneseve dhe banesave, sigurimi i pronës është i rëndësishëm për të ruajtur vlerën e investimeve të tyre nga një numër faktorësh me incidencë potenciale. Megjithëse, primi i sigurimit për këtë kategori është më i ulët se ai i kategorisë së mësipërme, shumat maksimale siguruese janë më të larta për shkak të vlerës më të lartë të aseteve dhe rrjedhimisht edhe të humbjeve potenciale në rast incidence dëmi.

Sigurimi i shëndetit, ka një prioritet më të lartë pas periudhës së pandemisë, si kundër në të gjithë botën, por vihet re një diskrepancë e lartë midis rreziqeve shëndetësore, që qytetarët kërkojnë të mbulojnë dhe primeve, që ata janë në gjendje të paguajnë për këto mbulime. Ne mbetemi një kompani serioze, që i përmbahet çdo detyrimi kontraktual me rigorozitet të lartë.

Cilat janë mundësitë e reja për të rritur shitjen e produkteve të sigurimit në filialin tuaj?

Në opinionin tim, në Ferizaj potencialet për rritjen e shitjeve janë të larta, për shkak të numrit të lartë të bizneseve me dimensione sinjifikative dhe të një penetrimi relativisht të ulët. Për të rritur shitjen e produkteve të sigurimit në këtë qytet, ne kemi mundësi të shumta, që jemi duke i eksploruar. Së pari, nëpërmjet një kontakti të vazhdueshëm me klientët po kërkojmë të evidentojmë rreziqet dhe të përshtatim produktet tona në përputhje me profilin e rreziqeve potenciale të klientëve. Dizenjimi i produkte të reja në bashkëpunim me Departamentin e Marrjes në Sigurim, apo përshtatja e atyre ekzistues, që adresojnë nevojat specifike të tregut lokal, krijon një bazë të qëndrueshme për tërheqjen e një numri më të madh klientësh. Partneriteti mbi baza besimi reciprok me bizneset lokale është tepër i rëndësishëm. Duke zhvilluar partneritete me biznese lokale, si kompani ndërtimi, agjencitë e shitjes së automjeteve, agjencitë e patundshmërisë do të rritet në mënyrë të dukshme diferencimi nga pjesa tjetër e tregut dhe suksesi do të jetë i dukshëm. Parimi ynë është të diferencohemi nëpërmjet cilësisë së produkteve dhe jo patjetër nëpërmjet çmimit. Një tjetër faktor, i cili luan rol kryesor për rritjen e tregut është edukimi i klientëve aktualë apo ata potencialë. Duke ofruar materiale edukuese dhe sesione informuese rreth rëndësisë së sigurimit dhe përfitimeve të tij, ne mund të rrisim shkallën e perceptimit të tregut dhe rrjedhimisht numrin e klientëve dhe numrin e produkteve të sigurimit.

25 vjet çlirim, a jeni të kënaqur me suksesin e Republikës së Kosovës ?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
379
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024