Maqedonci flet për fuqizimin e partneriteteve për siguri Kosovë-SHBA
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua


Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes është një nga parakushtet për plotësimin e infrastrukturës së mbrojtjes së Kosovës në kohën e përballjes së sfidave rajonale dhe globale të sigurisë dhe në këtë aspekt fuqizimi i partneritetit me sektorin privat është i rëndësishëm për avancimin e sigurisë kombëtare.

Kjo u konkludua në një bashkëbisedim të organizuar sot nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në të cilin u diskutua rreth sigurisë në vend e rajon, dhe nevojës për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend me qëllim përballimin e sfidave të ardhshme të sigurisë.

Ministri Maqedonci e vlerësoi bashkëpunimin me sektorin privat si një nga elementet e rëndësishme për zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit dhe një partner potencial për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes së vendit tonë.

Ai tha se SHBA janë aleati kryesor dhe akteri kryesor në rrugëtimin e deritanishëm të Kosovës, veçanërisht në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë.

Duke folur për investimet potenciale në zhvillimin e industrisë lokale të mbrojtjes, ministri Maqedonci theksoi kompletimin e legjislacionit që do të largonte disa nga barrierat në këtë aspekt.

Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes është në koordinim të vazhdueshëm me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, respektivisht me Zyrën e Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes, përkitazi me furnizimet me pajisje ushtarake.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024