Spanja, Irlanda dhe Norvegjia vendosin ta njohin Palestinën si shtet
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Spanja, Irlanda dhe Norvegjia kanë njoftuar të mërkurën se kanë vendosur ta njohin Palestinën si shtet të pavarur. Kryeministri i Irlandës, Simon Harris, tha se ky ishte një vendim i përbashkët mes vendit të tij, Spanjës dhe Norvegjisë. Ky vendim historik nxiti kundërshtim të ashpër nga Izraeli dhe gëzim nga palestinezët. Izraeli i tërhoqi menjëherë ambasadorët e vet nga Norvegjia dhe Irlanda.

Këto tre vende njoftuan njëra pas tjetrës përmes konferencave për media për vendimin e tyre për Palestinën. I pari, kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, tha se “nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme, nëse nuk ka njohje”.

Gahr Store tregoi se shteti skandinav do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez nga 28 maji.

“Duke e njohur Palestinën si shtet, Norvegjia e mbështet planin për paqe arabe”, tha ai.

Disa vende të Bashkimit Evropian kanë lënë të kuptohet në javët e fundit se e kanë ndër mend ta njohin Palestinën, duke argumentuar se zgjidhja me dy shtete është thelbësore për paqe afatgjate në rajon. Norvegjia, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian por ndjek politikat e saj, ka qenë mbështetëse e zjarrtë e zgjidhjes me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve.

“Terrori është kryer nga Hamasi [i shpallur grup terrorist nga SHBA dhe BE] dhe nga grupet militante, të cilat nuk janë përkrahëse të zgjidhjes me dy shtete, dhe nga shteti i Izraelit”, tha lideri i Qeverisë norvegjeze.

“Palestina ka të drejtë thelbësore për të qenë shtet i pavarur”, tha ai.

Vendimi i tyre vjen në një kohë kur forcat izraelite po kryejnë sulme në pjesët veriore dhe jugore të Rripit të Gazës, duke shkaktuar zhvendosjen e qindra mijëra njerëzve, dhe duke e kufizuar dukshëm futjen e ndihmave në enklavën palestineze.

“Prandaj, Norvegjia do ta njohë Palestinën si shtet të pavarur me të gjitha të drejtat dhe obligimet”, shtoi Gahr Store.

Norvegjia po e njeh Palestinën si shtet më shumë se 30 vjet pas marrëveshjes së parë të Oslos, e cila u nënshkrua më 1993.

Prej atëherë, “palestinezët kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt zgjidhjes me dy shtete”, tha Qeveria norvegjeze.

Ajo tha se Banka Botërore ka theksuar se Palestina i ka përmbushur kriteret kyçe për të funksionuar si shtet më 2011, dhe se institucione kombëtare janë ndërtuar për t’i ofruar shërbime të rëndësishme popullit.

Ndërkohë, kryeministri irlandez Harris tha se “kjo është një ditë historike dhe e rëndësishme për Irlandën dhe Palestinën”.

Ai tha se vendimi i vendit të tij për ta njohur Palestinën si shtet ka për qëllim të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin palestinezo-izraelit përmes zgjidhjes me dy shtete.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha se vendi i tij do ta njohë Palestinën si shtet më 28 maj.

Sanchez, lider socialist i Spanjës prej vitit 2018, e dha lajmin e pritur gjatë një fjalimi në Parlament të mërkurën.

Sanchez i ka kaluar disa muaj nëpër vendet evropiane dhe të Lindjes së Mesme, për të fituar mbështetje për njohjen e Palestinës, si dhe për një armëpushim të mundshëm në Gazë.

Në fillim të këtij muaji, ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, tha se e kishte njoftuar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për qëllimin e Qeverisë së tij për ta njohur Palestinën.

Kundërshtimi nga Izraeli

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, i urdhëroi ambasadorët izraelit në Irlandë dhe Norvegji të kthehen menjëherë në Izrael, pas njoftimit të këtyre dy vendeve për ta njohur Palestinën.

“Irlanda dhe Norvegjia kanë për qëllim t’u dërgojnë mesazh sot palestinezëve dhe tërë botës: terrorizmi shpërblehet”, tha Katz.

Ai tha se njohja mund t’i pengojë përpjekjet për kthimin e pengjeve izraelite që po mbahen në Gazë dhe se e bën më pak të mundur arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim “duke i shpërblyer xhihadistët e Hamasit dhe Iranit”.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abhas, e mirëpriti vendimin e Norvegjisë për njohjen e shtetit palestinez dhe u bëri thirrje vendeve të tjera ta bëjnë të njëjtën./REL/

A duhet të testohen mësimdhënësit?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
186
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024