Aksioni policor në veri: Si e vlerësojnë qytetarët dhe politikanët?
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Aksionin e Policisë së Kosovës të hënën në veri të vendit, me ç’rast u mbyllën gjashtë njësi ilegale të Bankës Postare Kursimore të Serbisë, ndërsa u konfiskuan 1.6 milionë euro, rreth 75 milionë dinarë, dollarë e franga, qytetarët serbë të veriut e quajnë represion ndaj tyre.

Ndërkaq, liderët politikë serbë nga veriu, këtë aksion e konsiderojnë si vënie të reja të sanksioneve ndaj pakicës serbe në Kosovë dhe nuk e përjashtojnë mundësinë e radikalizmit të situatës në atë pjesë.

Dragisha Jovanoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, ka thënë për KosovaPress, se aksioni i djeshëm nga ana e policisë është një represion i madh ndaj pakicës absolute serbe.

Ai shtoi se qytetarët tani do të maltretohen duke u detyruar të shkojnë nëpër qytete të ndryshme të Serbisë, për të marrë të ardhurat e tyre.

Edhe Dushan Popoviq, një qytetar tjetër nga veriu i këtij qyteti të ndarë, e ka quajtur aksionin e policisë si diçka që nuk është në rregull, ndonëse ka pranuar se nuk prish punë që tash e tutje ta marr pensionin edhe në euro.

Në anën tjetër, Aleksandar Arsenijeviq, lider i ‘Demokracisë serbe’ me seli në veri të Mitrovicës, ka bërë të ditur se aksioni i djeshëm është një goditje e rëndë ndaj jetës së qytetarëve serbë në përgjithësi.

Sipas tij, çështja e dinarit është dashur të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel, ose në kuadër të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai, pas ngjarjeve të djeshme, nuk ka përjashtuar mundësinë e radikalizimit të situatës në veri të Kosovës.

Aksioni i 20 majit i Policisë së Kosovës për mbylljen e gjashtë degëve të Bankës Postare Kursimore ka zgjuar reagime të shumta nga institucionet vendore e ndërkombëtare.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se secili veprim i institucioneve është i bazuar mbi ligjshmërinë dhe shtrirjen e sovranitetit në çdo cep të vendit.

Ndërkaq Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për veprimin e institucioneve të Kosovës duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.

Poashtu edhe nga Bashkimi Evropian thonë se “Operacioni i së hënës dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës kanë prioritet veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët e saj”.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024