BE për aksionin policor në veri: Veprim që përshkallëzon situatën
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Bashkimi Evropian ka reaguar pas aksionit të djeshëm të Policisë së Kosovës, ku u mbyllën gjashtë filiale të Bankës Postare Kursimore.

Nëpërmjet një komunikate për media, BE shprehet e shqetësuar ndaj aksionit policor pasi sipas tyre, mbyllja e këtyre zyrëve pa koordinim sjell përshkallëzim dhe bie ndesh me frymën e normalizimit.

“Bashkimi Evropian vërejti me shqetësim operacionin policor të së hënës në zyrat e Bankës së Kursimeve Postare Serbe në veri të Kosovës. Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa njoftim ose koordinim paraprak dhe vetëm pak ditë pas takimit të fundit të Dialogut, ku u trajtua edhe çështja e ambienteve të Bankës së Kursimeve Postare, është përshkallëzuese dhe bie ndesh me frymën e normalizimit dhe minon mirëbesimin e Kosovës në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve përmes Dialogut”, fillon komunikata e bllokut.

Ndërkaq, duke folur për efektet që mund të ketë ky aksion policor, BE thotë se po rrezikohen negociatat për të gjetur zgjidhje të përkohshme për personat e prekur nga rregullorja e BQK-së.

“Përsëri, veprimet e pakoordinuara të njërës prej palëve vënë në rrezik zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Operacioni i Policisë së Kosovës po ashtu rrezikon negociatat e vazhdueshme për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur negativisht nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Në mungesë të vazhdueshme të alternativave të qëndrueshme, kjo do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera të kualifikuara për transfere financiare nga Serbia”, njofton BE-ja.

Tutje, BE akuzoi Kosovën për veprime të njëanshme, duke thënë se u dëshmua që autoritetet kosovare i kanë prioritet vendimet e pakoordinuara, para bashkëpunimit me aleatë.

“Operacioni i së hënës dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës kanë prioritet veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët e saj”, vazhdon komunikata e BE-së.

Në fund, BE u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në dialog në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për dinarin serb.

“Statusi i të gjitha strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Komunitetit të komunave me shumicë serbe”.

“BE-ja i kërkon Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e negociatave dhe të pajtohen me propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga Lehtësuesi i BE-së që u lejon përfituesve të kualifikuar të marrin transferta financiare nga Serbia”, tha BE.

Si e vlerësoni punën e Arbërie Nagavci në krye të Ministrisë së Arsimit?
Shumë të mirë
Mirë
Dobët
Shumë të dobët
Voto
21
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024