Molotovë e tymues në protestën e opozitës në Tiranë
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Aleanca për Mbrojtjen e teatrit, grupimi i Rithemelimit të Partisë Demokratike dhe Partia e Lirisë zhvilluan sot protestën e radhës përpara bashkisë së Tiranës.

Protesta, e teta gjatë këtyre muajve, ka nisur me hedhjen e molotovëve dhe tymueseve nga protestuesit. Godina e bashkisë ashtu si gjatë çdo proteste është rrethuar nga forca policie për të mos lejuar protestuesit të hyjnë në bashki.

Nga hedhja e molotovëve, zjarri përfshiu hyrjen e bashkisë. Policia ndërhyri dhe arriti të shuajë zjarrin tek hyrja kryesore e godinës.

Protestat u thirrën pas arrestimit me urdhër të SPAK të disa ish-drejtorëve të kësaj bashkie. Në protestë marrin pjesë qytetarë dhe përfaqësues të opozitës, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erjon Veliaj, pas arrestimeve të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni.

Anëtari i kryesisë së Rithemelimit të PD-së, Belind Këlliçi tha se shumë shpejt do depozitojë në SPAK edhe dy emra të tjerë, administratorë të dy ish-komunave, Arben Maloku i Zall Herit dhe Kujtim Qefalia i Dajtit.

“I kemi dërguar në SPAK, janë pjesë e dosjes së 5D. Edhe ky material po përgatitet për t’u depozituar së shpejti në SPAK”, tha Këlliçi.

“Shpeshherë dëgjojmë që njerëzit thonë se opozita ka probleme me drejtësinë, por ne jemi ata që kemi inkurajuar SPAK, duke çuar kallëzime për të zbuluar të vërtetat”, tha Këlliçi, ndërsa deklaroi se nuk do të tërhiqen deri në arritjen e objektivit që siç u shpreh ai është “largimi i Veliajt”.

Kryetari i FRPD, Besart Xhaferri në fjalën e tij në protestë tha se, ka dy palë shqiptarë, ata që shkojnë në protestë dhe ata që flenë gjumë dhe nuk bashkohen në protestë.

“Çfarë prisni, që t’ju ikin edhe juve fëmijët jashtë? Frymëzohuni nga heronjtë e revoltës së Spaçit”, u shpreh Xhaferri.

Policia e Shtetit ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të këtij tubimi.

Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit prej orës 09:30 e në vijim, ka bllokuar në mënyrë të përkohshme qarkullimin e mjeteve, në Bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. /atsh/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024