Zyrtarët e Beogradit dënojnë aksionin policor në veri të Kosovës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Zyrtarët në Serbi kanë dënuar aksionin e Policisë së Kosovës ndaj objekteve të Bankës Postare Kursimore të Serbisë në Kosovë.

Gjatë aksionit të 20 majit, Policia e Kosovës tha se mbylli gjashtë objekte të Banës Postare Kursimore, pasi sipas saj, ato vepronin paligjshëm në veri të vendit.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e cilësoi aksionin si “akt barbar që drejtpërdrejt kërcënon mbijetesën e popullit serb” në Kosovë.

“Kujt dhe pse po iu pengon Banka Postare Kursimore? Për shkak të çekut. Serbët në Kosovë janë komuniteti i vetëm në Evropë që nuk mund të operojnë normalisht. A kanë të drejtë ata që të kenë paga dhe pensione? Apo asgjë nuk iu lejohet”, tha Vuçeviq, sipas një njoftimi të Qeverisë serbe.

Në njoftim u tha se këto pyetje nuk i janë drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por komunitetit ndërkombëtar.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në reagimin e tij për këtë aksion, tha se kryeministri Kurti vazhdon “me terror ndaj popullit serb” në Kosovë, duke kryer “bastisje në degët e Bankës Postare Kursimore”.

Ai shtoi se “kjo çon në konflikte të reja në Ballkan, me pasoja të pallogaritshme”.

Për aksionit e 20 majit reagoi edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe. Kjo zyre pretendoi se gjatë aksionit, Policia e Kosovës ka “keqtrajtuar” punonjësit e institucioneve serbe.

“Është shqetësues fakti që pjesëtarët e EULEX-it dhe KFOR-it ishin vëzhgues të heshtur të aksionit të sotëm të paligjshëm dhe të dhunshëm në veri të Kosovës. U bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që urgjentisht të ndalojnë Kurtin dhe të mbrojnë paqen dhe popullin serb në Kosovë”, u tha në reagim.

Policia e Kosovës tha se aksioni në veri të Kosovës u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës.

Ky institucion nuk raportoi për ndonjë incident gjatë aksionit, në të cilin u panë edhe pjesëtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe ata të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë parë duke marrë pjesë në aksionin në veri./REL/

25 vjet çlirim, a jeni të kënaqur me suksesin e Republikës së Kosovës ?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
379
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024