350 kandidatë konkurrojnë për 24 prokurorë të rinj të shtetit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) organizoi testin kualifikues, në kuadër të procesit të rekrutimit të 24 prokurorëve të rinj të Kosovës, i cili është mbajtur sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Testi u zhvillua në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve ndërkombëtarë të EULEX-it dhe OSBE-së, me ç’rast paraprakisht sot Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit hartoi pyetjet për kandidatët që fituan të drejtën për të marrë pjesë në këtë testim.

Në test morën pjesë 350 kandidatë, prej tyre 192 meshkuj dhe 158 femra, prej të cilëve tre nga minoritet, dy boshnjakë dhe një turk, që kanë aplikuar përmes sistemit online të menaxhimit të dosjeve dhe përmes dorëzimit të kopjeve fizike, me email dhe postë të rregullt.  

Në këtë proces të rekrutimit kanë qenë të rezervuara katër pozita për minoritetin serb, por nuk ka pasur asnjë aplikacion.

Kryesuesi i Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, Blerim Isufaj, së bashku me anëtarët e tjerë, ka mbikëqyrë rrjedhën e plotë të mbajtjes së Testit Kualifikues.     

Në kuadër të monitorimit dhe vëzhgimit të këtij procesi ishin edhe prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kryeprokurorë të prokurorive të vendit, prokurorë të deleguar nga Prokuroria e Apelit, Prokuroria Speciale e Kosovës, prokuroritë themelore dhe përfaqësuesit nga EULEX-i dhe OSBE-ja.

Komisioni për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit është duke vazhduar punën në vlerësimin e të gjitha testeve dhe pas përfundimit të vlerësimit të tyre sipas rregullores do të publikohet lista e kandidatëve, të cilët kanë kaluar testin dhe lista e kandidatëve që nuk kanë kaluar testin.

Në vijim do të organizohen edhe fazat e tjera të testimit sipas standardeve më të avancuara, të cilat përbëhen nga testi me shkrim dhe intervistimi i kandidatëve.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024