Imer Zeqiri e quan “puç të përgatitur” shkarkimin e tij
Lajme
Lexohet për: 4 min.
3 javë më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka reaguar pas vendimit të Kuvendit të Përgjithshëm të kësaj sindikate për shkarkimin e tij, duke thënë se nuk ishte i informuar për këtë takim dhe se kjo është bërë qëllimisht.

Ai thotë se në komunikatën ku u konfirmua vendimi për shkarkimin e tij nuk janë përmendur as arsyet.

“Veprimet si ky i sotmi, vërtetojnë synimet për “puç”, të përgatitura që sa kohë dhe janë vazhdim i prapaskenave nga individë në Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe përreth saj. Prej kur jam në krye të sindikatës, të arriturat janë evidente dhe publike, andaj jam krenar me punën dhe angazhimin tim”, tha Zeqiri.

Ai shprehet se do të pranonte çfarëdo lloj vendimi që do ta merrte kuvendi që do të thirrej sipas Statutit të SPK-së, “por, jo kështu pas shpine”.

Shkarkohet kryesindikalisti i policëve • KosovaPress

Reagimi i plotë:

Sot më datë 19.05.2024, unë si kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, nga mediat kuptova se është mbajtur takim i Kuvendit të Përgjithshëm të kësaj sindikate ku qenka vendosur për shkarkimin tim.

Unë nuk kam qenë i njoftuar për një takim të tillë, i bërë qëllimisht për të pamundësuar pjesëmarrjen time, dhe si i tillë është në kundërshtim me Statutin, si akti më i lartë juridik i Sindikatës së Policisë së Kosovës si dhe në kundërshtim me parimet etike e fisnike për një strukturë të tillë.

Më vjen keq që Sindikata për të cilën kam bërë punë me shumë përkushtim dhe angazhim për të avancuar pozitën, mirëqenien dhe të drejtat e të gjithë pjesëtarëve të policisë, është kthyer në një mekanizëm të individëve për të realizuar interesa individuale, e që do të dëshmohet ndërkohë.

E lexova komunikatën e lëshuar dhe është e habitshme se si në të nuk janë përmendur arsyet se pse është vendosur për shkarkimin tim. Si mund të ketë shkarkim pa u dhënë arsyet dhe pa u bërë ato publike?

Sa i përket procesit ndaj meje dhe për të cilin jeni të njoftuar, nuk ka një vendim përfundimtar. Parimi bazë i prezumimit të pafajësisë është hedhur poshtë sot nga ata që me aq zell kanë marrë vendim të qëllimshëm nën pretekstin e shkeljes në mënyrë të heshtur të këtij parimi. Në këtë rast 60 delegatë që kanë ngritur dorën pro shkarkimit a thua vallë e dinë se kanë bërë vetëgjyqësi?!

Në një proces të rregullt me prezencën time, do ta pranoja çfarëdo lloj vendimi që do ta merrte kuvendi, që do të ishte i thirrur sipas Statutit të SPK-së. Por, jo kështu pas shpine. Takimet e thirrura në kundërshtim me Statutin dhe vendimet që dalin prej tyre janë të pazbatueshme.

Veprimet si ky i sotmi, vërtetojnë synimet për “puç”, të përgatitura që sa kohë dhe janë vazhdim i prapaskenave nga individë në Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe përreth saj. Prej kur jam në krye të sindikatës, të arriturat janë evidente dhe publike, andaj jam krenar me punën dhe angazhimin tim.

I falënderoj anëtarët e sindikatës dhe pjesëtarët e policisë për shumë mesazhe e thirrje përkrahëse që më kanë bërë këto ditë.

Togeri policor para suspendimit për foto brenda zyrave të Sindikatës së PK-së • KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024