Letra kushtëzuese për KiE, Abdixhiku: Partnerët e Kosovës s'janë militantë partiakë
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar letrën e tre liderëve evropianë dërguar kryeministrit Albin Kurti përmes së cilës kërkohet asociacioni si kushte për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.

Ai ka thënë se letra e kancelarit gjerman Olaf Scholz, kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe presidentit francez Emmanuel Macron “dëshmon se partnerët e Kosovës nuk janë militantë partiakë” dhe “ekspozon Kosovën si një shtet që nuk di të jetë serioz në arenën ndërkombëtare”.

Sipas tij, zgjidhja e vetme për të nxjerrë Kosovën nga gjendja aktuale është dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti dhe shkuarja në zgjedhje të reja.

“Shteti i Kosovës dhe qytetarët tanë nuk ua kanë borxh të ardhmen një njeriu që luan me detyrimet e shtetësisë e që rrënon reputacionin e shtetit të Kosovës kaq keq. Duke i trajtuar partnerët si militantë, diplomacinë si kafehane e Kosovën si fushë mbjellje e korrjeje të votave momentale në dëm të prodhimeve të duhura ndërkombëtare, ne po shndërrohemi në një vend të zymtë dhe pa perspektivë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Postimi i plotë:

Një dështim spektakular!

Një turpërim ndërkombëtar!

Një dëm historik!

Pasi gabuan adresën e pranuesve të letrës – merreni me mend – pasi ndryshuan në finish gjithë strategjinë e dialogut, zhbënë të gjitha qëndrimet dhe me të humbën të gjitha argumentet e mosveprimit me kohë; pasi e konsideruan diplomacinë si një kafe militantësh ku shiten gjepurat e tyre populiste, Republika e Kosovës mbeti e humbur, e turpëruar dhe sërish e kushtëzuar rëndë.

Letra e tre aleatëve të pavarësisë dhe rrugëtimit tonë shtetar, nuk ekspozon thjesht një kryeministër populist që manipulon me ndjenjat nacionale në dëm të interesave të shtetit. Ajo e ekspozon Kosovën si një shtet që nuk di të jetë serioz në arenën ndërkombëtare.

Partnerët e Kosovës nuk janë militantë partiakë që kur kryeministri i viziton u jep pasqyrën e shtetit të falimentuar si sukses qeveritar. Subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës nuk është platformë zgjedhore mbi të cilën merren votat. Populistët këtë peshë përfaqësimi nuk e kuptojnë dot. Prandaj dhe të turpërojnë, të dështojnë dhe të dëmtojnë.

LDK-ja nuk ka bërë dhe as nuk bën politikë elektorale me marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. E kuptojmë peshën e vërtetë të shtetësisë. LDK-ja qëndron e palëkundur në këtë rrugëtim, prandaj me kohë ka propozuar autorësinë e Republikës ndaj detyrimeve ndërkombëtare, si parakusht i evitimit të dështimeve historike e dëmeve pas dështimeve – ku dhe jemi sot.

Në relacionet e tilla, ka një kohë kur duhet përballur me argumente politike dhe ka një kohë kur duhet qëndruar në ballë të angazhimeve ndërkombëtare. Këtu dallojnë prijësit prej populistëve, patriotët prej mashtruesve.

Shteti i Kosovës dhe qytetarët tanë nuk ua kanë borxh të ardhmen një njeriu që luan me detyrimet e shtetësisë e që rrënon reputacionin e shtetit të Kosovës kaq keq. Duke i trajtuar partnerët si militantë, diplomacinë si kafehane e Kosovën si fushë mbjellje e korrjeje të votave momentale në dëm të prodhimeve të duhura ndërkombëtare, ne po shndërrohemi në një vend të zymtë dhe pa perspektivë.

Heqja dorë nga rrugëtimi euroatlantik është tragjedi. Dhe këtë heqje dore duhet ta parandalojmë si popull, si shtet si gjeneratë e ardhmja e së cilës po merret peng nga një njeri. Prandaj populistët duhet të përballen me dështimet e tyre kapitale, me humbjen e madhe kombëtare! Dorëheqja, më pas shpërndarja, në fund zgjedhjet dhe fitorja e politikës normale.

25 vjet çlirim, a jeni të kënaqur me suksesin e Republikës së Kosovës ?
Po
Jo
Nuk e di
Voto
466
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024