Knaus: Kosova nuk do të jetë në agjendën e KiE-së më 17 maj, letra e saj erdhi vonë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë se nuk pret që Kosova të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.

Kjo, me gjithë faktin se Kosova tha të enjten se i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Mendoj se letra ka ardhur pak me vonesë”, thotë Knaus, i cili ka përcjellë nga afër rrugëtimin e Kosovës drejt KiE-së.

“Por, mendoj se vendet anëtare duhet të thonë se e mbështesin nismën e Kosovës dhe duhet të bëjnë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm së shpejti - me shpresë brenda disa javësh”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Asambleja Parlamentare e KiE-së ka votuar për pranimin e Kosovës më 16 prill dhe vendimi përfundimtar ka kaluar te Komiteti i Ministrave.

Ndërkohë, disa vende si Gjermania dhe Franca kanë kërkuar nga Kosova që të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të asociacionit, për t’i bindur qeveritë skeptike që të votojnë në favor të saj për anëtarësim në KiE.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kërkuar sot nga ministrat e Punëve të Jashtme të Këshillit të Evropës që të përfshijë në agjendë anëtarësimin e Kosovës, pas letrës ku qeveria zotohet për hartimin dhe dërgimin e një draft-statuti për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gërvalla në një konferencë për medie të enjten, tha se ky draft-dokument do të përmbushte obligimet ndërkombëtare të Kosovës, si dhe do të respektonte në tërësi Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Sipas saj, pavarësisht si do të pranohet kjo ofertë e palës kosovare do të procedohet tutje për hartimin e draftit të asociacionit dhe dërgimit të tij në Gjykatë Kushtetuese.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024