Dështon edhe takimi i shtatë për dinarin në Bruksel
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Kosova dhe Serbia nuk arritën të pajtohen as pas takimit të shtatë në Bruksel për çështjen e dinarit serb në Kosovë, përdorimi i të cilit u ndalua nga autoritetet kosovare muaj më parë.

"BE-ja vlerëson se nuk ka gatishmëri për gjetjen e një marrëveshjeje kompromisi në të ardhmen", tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një komunikatë për media pas një takimi trepalësh në Bruksel.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me kryenegociatorin e Serisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e bllokut Mirosllav Lajçak, për herë të shtatë të mërkurën, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

Bislimi e cilësoi si të dështuar takimin, duke thënë se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje. Ndërsa Petkoviq tha se pala kosovare i "refuzoi të gjitha propozimet".

Duke folur për gazetarët pas negociatave disaorëshe, Bislimi tha se nuk pret takime të tjera për këtë temë.

Sipas tij, ndërmjetësuesi i bisedimeve, Mirosllav Lajçak, nuk do t’i ftojë më palët, pos nëse ato do të tregoheshin konstruktive.

“Në komentet tona, ne kemi parë se në cilat pika mund të bëjmë kompromise për propozimin e Lajçakut. Te komentet e palës serbe kemi parë tendencë që në shumë pika të largohen nga ai. Kjo e dëshmon atë që e kemi thënë shumë herë më parë: për Serbinë kjo çështje nuk përbën kurrfarë urgjence, primare për të është të mos lejojë zgjidhje për këtë çështje”, tha Bislimi për gazetarë pas takimit.

Lajçak ka paraqitur para palëve një propozim, që në BE thonë se është “praktik dhe ofron një zgjidhje të përkohshme kalimtare”, por për propozimin nuk janë dhënë detaje.

Negociatori serb, Petar Petkoviq, tha se pala serbe doli me "gjashtë propozime të reja konstruktive", por se "Prishtina i refuzoi të gjitha".

“Ne nuk e kemi mbyllur derën për bisedime, sepse duam të gjejmë një zgjidhje”, tha Petkoviq.

Petkoviq nuk dha detaje se çfarë përmbajnë propozimet e palës serbe.

Më 1 shkurt, në Kosovë hyri në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.

Bislimi tha se “95 për qind e propozimit të palës serbe ka të bëjë me legalizimin e strukturave ilegale”, e jo me përfituesit e ndihmave nga Serbia.

"Serbia ka qëllime, e para t'i legjitimojë strukturat paralele ilegale. Sipas tyre, zgjidhja duhet të kërkohet në kalimin nga një sistem ilegal paralel, në një sistem legal paralele. Dhe në anën tjetër, sipas tyre zgjidhja është në një sistem që e siguron edhe më tej mungesën e plotë transparencës, e cila ka qenë njëra nga qëllimet e Bankës Qendrore [të Kosovës]", tha Bislimi.

Një ditë më herët, ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se priste që palët të jenë të gatshme për gjetjen e një zgjidhjeje praktike.

Serbët në Kosovë për vite me radhë marrin asistencë sociale dhe pagesa të tjera nga buxheti i Serbisë.

BE-ja donte që takimi i së mërkurës të ishte i fundit për çështjen e dinarit, por kjo, siç thanë në bllok, do të varej nga gatishmëria e palëve për të pranuar një zgjidhje. /REL

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024