Banka Botërore mbështet përmirësimin e Shërbimeve për Edukim e Kujdes në Kosovë
Biznes
Lexohet për: 4 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore aprovoi sot Projektin për Edukim dhe Kujdes në Fëmijërinë e Hershme për Kapitalin Njerëzor të Kosovës, i cili synon të përmirësojë cilësinë dhe paanshmërinë në qasje në shërbimet e edukimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme në Kosovë.

Kosova ka nivelin më të ulët të regjistrimit në shërbime për Edukim dhe Kujdes në Fëmijërinë e Hershme (EKFH) në Ballkanin Perëndimor, me më shumë barriera për fëmijët nga familjet me të hyra të ulëta.

Vetëm 19.5 për qind e fëmijëve të moshës 0-6 vjeç ishin të regjistruar në shërbimet për edukim dhe kujdes në fëmijërinë e hershme gjatë periudhës 2021-2022.

Numri i pamjaftueshëm dhe shpërndarja joadekuate e qendrave për edukim dhe kujdes në fëmijërinë e hershme ndikon në qasjen në shërbime. Kjo kontribuon në nivele të ulëta të shkathtësive themelore të shkrim-leximit dhe llogaritjes, gjë që mund ta bëjë përgjithmonë të vështirë arritjen e nivelit të kërkuar dhe qasjes në mundësi për karrierë produktive.

Gjithashtu, qasja e dobët në kujdesin për fëmijë dhe të moshuar kontribuon në vlerat jashtëzakonisht të ulëta të punësimit dhe pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore në Kosovë.

“Me prioritizimin e edukimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme, Kosova po demonstron përkushtim drejt përmirësimit të rezultateve të edukimit të fëmijëve të vegjël dhe mbështetjes së kapitalit njerëzor të vendit për t’i adresuar në mënyrë efektive sfidat e ekonomisë në të ardhmen”, tha Massimiliano Paolucci, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. 

“Banka Botërore do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në forcimin e kapitalit të vet njerëzor, përmirësimin e përfshirjes sociale dhe nxitjen e rritjes ekonomike”, shtoi ai.

Projekti do të mbështesë aktivitetet që synojnë të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve për EKFH përmes përmirësimeve të kornizës rregullatore dhe kapaciteteve institucionale. Gjithashtu, synohet të përmirësohen rezultatet e zhvillimit të fëmijëve duke nxitur bashkëpunimin mes sektorëve të ndryshëm.

Projekti do ta arrijë këtë duke zgjeruar qasjen në shërbimet për EKFH përmes krijimit të hapësirave shtesë, sigurimit të pajisjeve esenciale dhe sigurimit të materialeve për mësimdhënie dhe mësim-nxënie.

Për më tepër, do të zbatohet një program më kupon si masë mbrojtëse që siguron qasjen e fëmijëve dhe familjeve të cenueshme. Projekti pritet të përfshijë 3,800 fëmijë, 1.500 mësimdhënës dhe profesionistë për EKFH dhe 1.500 profesionistë të shëndetësisë, të cilët do të përfitojnë nga rinovimet, ripërdorimi, adaptimi dhe ndërtimi i objekteve të reja, programi me kupon dhe mundësitë e trajnimit. Rritja e ofrimit të kujdesit për fëmijë gjithashtu pritet të rrisë pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore.

Mbështetja financiare e aprovuar për këtë projekt është 18.6 milionë euro, një kredi koncesionare nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) i Bankës Botërore.

Periudha e shlyerjes së kredisë për këtë operacion është 25 vjet, dhe përfshin një grace-periudhë 5-vjeçare. Projekti do të financohet edhe me një grant shtesë prej dy milionë dollarësh amerikanë nga Fondi i Mirëbesimit i Partneritetit për Mësimnxënie të Hershme.

Projekti do të zbatojë për herë të parë financimin e bazuar në performancë për të optimizuar ndikimin e programeve sociale në vend.

Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore do të nënshkruajnë në vijim një marrëveshje për financimin e projektit, e cila duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës. Përgjegjëse për zbatimin e projektit do të jetë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024