Adoleshentët mund të hospitalizohen në Psikiatrinë e Fëmijëve, inaugurohen dy objekte
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Nga sot, fëmijët dhe adoleshentët përveç që do të marrin shërbime ambulantore, ata do të mund të hospitalizohen në Objektin e Psikiatrisë së Fëmijëve në Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Kjo, pas inaugurimit të renovimit të Objektit të Psikiatrisë së Fëmijëve dhe objektit të Psikiatrisë Intensive nga Ministria e Ekonomisë përmes Projektit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtëritshme i financuar nga Banka Botërore përmes kredisë IDA dhe zbatuar nga Ministria e Ekonomisë.

Me këtë rast, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se synimi i investimeve në objektet spitalore dhe të tjera është t’i bëjnë ato sa më efiçiente, kështu duke mbrojtur ambientin dhe kursyer buxhetin e shtetit.

Rizvanolli tha se me përfundimin e investimit të këtyre dy objekteve, shënohet investimi në 90 ndërtesa publike, duke përfshirë ato shëndetësore, universitete, qendra sociale, zyra të punësimit e të tjera.

Ajo tha se për renovimin e këtyre 90 projekteve janë shpenzuar mbi 15 milionë euro, ku planifikohet të investohet edhe në tetë të tjera deri në fund të vitit.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se me inaugurimin e Objektit të Psikiatrisë së Fëmijëve dhe objektit të Psikiatrisë Intensive , fëmijët dhe adoleshentët do të kenë mundësinë edhe të hospitalizohen, përveç marrjes së shërbimeve ambulantore.

Vitia theksoi se ndërgjegjësimi mbi shëndetin mendor për fëmijët mbetet nevojë imediate.

Tutje, ai potencoi se janë ndarë mbi 100 mijë euro për të mbështetur organizatat jo qeveritare, të cilat kanë në fokus shëndetin mendor.

Massimiliano Paolucci menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut u shpreh i lumtur për inaugurimin e renovimit të këtyre dy objekteve, për çka tha se “duhet të përmirësojmë kushtet dhe të kemi kujdes për shëndetin e popullatës së qytetarëve të Kosovës”./Z.Zeneli

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024